Pas publikimit të informacionit për bisedën e përbashkët të zyrtarëve amerikanë në aplikacionin Signal, të cilës i kishte pasur qasje edhe kryeredaktori i revistës The Atlantic, reagimet ende nuk po qetësohen, ndërsa shumëkush pyet – si do të reagojë Moska?
Një ekspert sigurie paralajmëroi në një intervistë për BBC se Rusia mund ta shfrytëzojë këtë keqpërdorim të aplikacionit për mesazhe nga ana e administratës amerikane në negociatat për Ukrainën.
Ish-oficeri ushtarak dhe eksperti për siguri, Hamish de Bretton-Gordon, deklaroi se edhe ai ndodhet në shumë grupe në Signal, por theksoi se zakonisht kjo platformë përdoret për qëllime administrative dhe jo për çështje pune.
“Shumica prej nesh e kemi braktisur aplikacionin vite më parë, sepse është lehtë e prekshme nga hakerët,” tha ai.
I pyetur nëse këto informacione mund të kenë përfunduar edhe në kanale të tjera, eksperti theksoi se “Putini tani është ulur shumë i kënaqur në Kremlin.”
“Kur keni njerëz si Pete Hegseth dhe Steve Witkoff, të cilët qartësisht nuk janë të trajnuar dhe nuk kanë asnjë ide për kundërzbulimin apo spiunazhin, kjo ua lehtëson jetën dhe veprimin kundërshtarëve”, përfundoi ai.