Shtetet amerikane po ndalojnë diçka që nuk ekziston: Çfarë janë gjurmët e bardha të njohura si “chemtrails”

Teoria e konspiracionit se qeveria amerikane kontrollon motin ose qytetarët e saj duke spërkatur nga avionët gjurmë kimike të rrezikshme – të ashtuquajturat chemtrails – ka arritur deri në organet ligjvënëse të disa shteteve amerikane dhe mund të ndikojë në jetën e përditshme të njerëzve.

Ky është një shembull se si teoritë e pabazuara dhe të çuditshme kanë hyrë në diskursin kryesor politik gjatë administratës së Donald Trumpit, duke nxitur mosbesim ndaj qeverisë. Kjo mund të dëmtojë përpjekjet e shkencëtarëve dhe inxhinierëve për të ngadalësuar ngrohjen globale, e cila ndikon edhe te amerikanët përmes motit ekstrem.

Ligje kundër diçkaje që nuk ekziston

Legjislatura e Floridës është duke shqyrtuar një projektligj për ndalimin e geoengineering dhe modifikimit të motit, ndërsa vitin e kaluar Tennessee miratoi një ndalim për “hedhjen e kimikateve në ajër” – një veprim që kritikët e quajtën të pakuptimtë.

Besuesit e teorisë së chemtrails mendojnë se vijat e bardha që shihen pas avionëve përmbajnë substanca helmuese, megjithëse kjo është hedhur poshtë nga shkenca. Në realitet, ato janë kondensim – avull uji dhe gjurmë gazi – që formohen në lartësi të mëdha, kur kushtet e lagështisë dhe temperaturës janë të përshtatshme.

Robert F. Kennedy Jr. përkrah teorinë

Ministri amerikan i shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka rritur zërin për këtë teori, duke deklaruar më 23 mars në rrjetin X se disa shtete po ndalojnë geoengineering-un dhe “spërkatjen e njerëzve dhe natyrës me helme”. Ai tha se lëvizja e tij “Make America Healthy Again (MAHA)” do t’i përkrahë këto masa.

“Fatkeqësisht, Kennedy Jr. është zyrtari më i lartë amerikan që ka rënë në këtë kurth,” tha për CNN ekonomisti i klimës Gernot Wagner.

Nga ku lindi teoria e chemtrails?

Shumë teori konspirative nisin nga ndonjë grimcë e së vërtetës. Është fakt që njerëzimi ka tentuar të ndikojë në mot, si për shembull me “mbjelljen e reve” për të nxitur reshjet – një praktikë e rrallë dhe me efektshmëri të diskutueshme.

Por teoritë për chemtrails janë përhapur që nga vitet ’90 dhe janë nxitur nga moti ekstrem dhe platformat sociale. Një studim nga viti 2017 tregoi se 60% e diskutimeve online për geoengineering-un ishin konspirative.

Nga teoritë – në ligje konkrete

Rhode Island miratoi ligjin e parë kundër geoengineering-ut në 2014, por e tërhoqi më vonë. Tennessee e ndaloi “kimikatet në ajër” në fillim të vitit të kaluar. Rritjes së këtyre teorive iu shtuan uraganët Helena dhe Milton, kur disa politikanë, si Marjorie Taylor Greene, pretenduan se qeveria po krijonte uragane për qëllime politike – një akuzë që Shërbimi Kombëtar për Oqeanin dhe Atmosferën e hodhi poshtë me një deklaratë të prerë: “Askush nuk kontrollon uraganet, teknologjia nuk ekziston.”

Senatorja e Floridës, Ileana Garcia, në fund të vitit 2024, propozoi një ligj që do ta kriminalizonte geoengineering-un pa autorizim, me gjobë 100.000 dollarë për shkelje. Ajo njoftoi se qytetarët do të mund të raportojnë raste të dyshuara dhe se çdo postim për këtë temë në rrjete sociale do të përfshijë edhe etiketimin e ministrit Kennedy.

Në përfundim, një teori e rrëzuar nga shkenca po merr jetë nëpër ligje, dhe Rusia, Kina e vende të tjera që ndjekin me vëmendje zhvillimet amerikane – siç u tha në analizat për këtë çështje – ndoshta “buzëqeshin në heshtje”, duke parë si konfuzioni dhe frika mund të minojnë besimin publik në shkencë dhe shtet.

Kategoritë
BotaLajme