Shkupi i zemëruar me Sofjen: Kush është Iva Mihajlova, për të cilën ambasadorit bullgar iu dorëzua notë proteste

Shkupi i zemëruar me Sofjen: Kush është Iva Mihajlova, për të cilën ambasadorit bullgar iu dorëzua notë proteste

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut thirri për bisedë ambasadorin bullgar në Shkup, Zheljazko Radukov, për shkak të pritjes në nivel të lartë që iu bë në Sofje 23-vjeçares Iva Mihajlova.

Sipas Ministrisë së Jashtme maqedonase, ambasadorit iu bë e ditur se mënyra se si Mihajlova u prit në Sofje, përfshirë njoftimet se do të pritej nga zyrtarë të lartë, përbën provokim dhe minon përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Iva Mihajlova akuzohet në Maqedoninë e Veriut për shkaktimin e një aksidenti trafiku me pasojë vdekjen e një personi, ndërsa ditët e fundit është arratisur në Bullgari. Ajo posedon edhe shtetësi bullgare, ndërsa ndaj saj është në fuqi një ndalim gjyqësor për largim nga vendi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte njoftuar më herët se ajo ishte larguar ilegalisht nga vendi dhe kishte hyrë po ashtu ilegalisht në Bullgari.

Nga Ministria e Jashtme në Shkup kanë deklaruar se e gjithë kjo përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin juridik të shtetit dhe dërgon një mesazh seriozisht të gabuar lidhur me respektimin e procedurave gjyqësore dhe parimit të barazisë para ligjit.

Ata shtuan se përkatësia kombëtare apo posedimi i një shtetësie tjetër nuk duhet të shërbejnë si bazë për mbrojtje nga përgjegjësia para institucioneve kompetente. Gjithashtu paralajmëruan se për rastin do të njoftohen institucionet ndërkombëtare, para së gjithash institucionet e Bashkimit Evropian dhe Këshilli i Evropës.

Ndërkohë, për 23-vjeçaren Mihajlova nga Koçani është shpallur urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa mediat maqedonase raportojnë se prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit.

Sipas portalit bullgar Boulevard Bulgaria, Mihajlova akuzohet se më 7 tetor 2025 shkaktoi vdekjen e një personi në një aksident në rrugën mes Koçanit dhe Shtipit.

Prokuroria pretendon se ajo po lëvizte me shpejtësi të madhe dhe kaloi në korsinë e kundërt. Mbrojtja pretendon të kundërtën, duke thënë se automjeti i saj nuk kaloi në korsinë tjetër, por se në atë korsi hyri drejtuesi i automjetit tjetër, ndërsa po përpiqej të anashkalonte një patrullë policie.

Në aksident, përveç personit që humbi jetën, u plagosën edhe disa persona të tjerë, mes tyre edhe vetë Mihajlova.

Mihajlova jeton dhe ka studiuar në Sofje. Pas aksidentit, asaj iu ndalua largimi nga Maqedonia e Veriut, ndërsa ajo pretendon se kjo masë po i dëmton shëndetin, pasi ka lëndime të rënda në shtyllën kurrizore dhe dëshiron të trajtohet në Bullgari.

Rasti është kthyer në një burim të ri tensionesh mes Sofjes dhe Shkupit, shoqëruar me pretendime se Mihajlova po përndiqet për shkak të shtetësisë së saj bullgare.

Mihajlova mbërriti papritur në Sofje, ndërsa ardhja e saj u organizua nga avokati i ri në Bullgari, Nikolaj Dimitrov.

Ministria e Jashtme bullgare pretendon se nuk ishte njoftuar paraprakisht për udhëtimin. Mihajlova u shtrua në spitalin Pirogov në Sofje, ku dha edhe deklarata për mediat.

Seanca e radhës është caktuar për 9 nëntor, ndërsa Mihajlova nuk deshi të tregojë nëse do të kthehet në Maqedoninë e Veriut për procesin gjyqësor.

Kategoritë
LajmeRajoni