BIA i vëzhgoi fshehurazi vëzhguesit e OSBE-së gjatë zgjedhjeve në Serbi, u hynte në dhoma dhe ua ndiqte çdo hap

BIA i vëzhgoi fshehurazi vëzhguesit e OSBE-së gjatë zgjedhjeve në Serbi, u hynte në dhoma dhe ua ndiqte çdo hap

Agjentët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) i kanë vëzhguar fshehurazi vëzhguesit e huaj të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dhjetorit 2023, ka zbuluar BIRN.

Mes personave të vëzhguar ishin gjermanja Jana Bürgers dhe irlandezi Brian MacMahon, dy vëzhgues afatgjatë që mbërritën në Beograd më 19 nëntor 2023. Tri ditë më vonë, ata u dërguan në Novi Sad, ku monitoruan procesin zgjedhor për rreth një muaj.

Sipas hulumtimit të BIRN-it, BIA ua ndoqi çdo hap që nga mëngjesi i 22 nëntorit, kur dolën nga vetura dhe hynë në hotelin “Putnik” në Novi Sad. Fotografitë e shkrepura nga agjentët tregojnë se ata i ndoqën edhe takimet e vëzhguesve me shoferin dhe asistentin e tyre.

BIRN raporton se për ndjekjen e dy vëzhguesve u angazhuan më shumë se dhjetë agjentë të BIA-s. Agjentët kishin çelësat e dhomave të tyre në hotel, ndërsa për kontrollimin e dhomave u angazhuan edhe agjentë të tjerë.

Vëzhguesit kaluan vetëm natën e parë në hotelin ku misioni ua kishte rezervuar paraprakisht qëndrimin. Më pas u zhvendosën në banesa private që i kishin marrë vetë me qira. Sipas BIRN-it, para se vëzhguesit të vendoseshin aty, BIA i kishte tashmë adresat e banesave, të dhënat e pronarëve dhe kodet e dyerve hyrëse të ndërtesave.

Me ftesë të Serbisë, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) i kishte angazhuar vëzhguesit për të monitoruar fushatën dhe financimin e saj, raportimin e mediave, shqyrtimin e ankesave, rastet e mundshme të frikësimit të votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore. Misioni i vëzhguesve afatgjatë përbëhej nga 30 persona nga 12 vende.

MacMahon mësoi për mbikëqyrjen vetëm nga gazetarët e BIRN-it. Ai tha se gjatë qëndrimit në Novi Sad nuk kishte vërejtur asgjë të pazakontë.

“Kjo është një ndërhyrje e papranueshme në punën e misioneve. Po ta kujtoni, OSBE-ja mbështetet në marrëveshjen mes të 57 vendeve që ta ftojnë njëra-tjetrën. Me fjalë të tjera, na ftuan me vullnetin e tyre dhe pastaj na vunë nën mbikëqyrje. Kjo tingëllon shumë shqetësuese. Nuk kam hasur kurrë diçka të tillë, ndonëse kam marrë pjesë në shumë misione”, tha MacMahon, i cili ka qenë vëzhgues edhe në Gjeorgji dhe në Rusi.

Edhe Bürgers mësoi nga gazetarët e BIRN-it se kishte qenë nën mbikëqyrje. Ajo tha se qëllimi i ndjekjes mbetet i paqartë, pasi vëzhguesit punojnë në mënyrë transparente dhe i bëjnë publike gjetjet e tyre. Bürgers ka marrë pjesë në misione në Ukrainë, Kirgistan, Bosnjë e Hercegovinë dhe në SHBA. Sipas saj, kjo është hera e parë që mëson se ka qenë në shënjestër të një shërbimi sekret.

Ajo shtoi se përfaqësues të opozitës në Serbi u kishin treguar për problemet dhe kërcënimet me të cilat përballeshin. Vëzhguesit kishin takuar edhe një burrë që më vonë ishte rrahur.

BIA nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it se përse i kishte ndjekur vëzhguesit e huaj dhe nëse kishte urdhër gjykate për këtë. As ODIHR-i nuk dha përgjigje.

Ndjekja u zhvillua në një periudhë ndryshimesh në udhëheqjen e BIA-s. Aleksandar Vulin dha dorëheqjen më 3 nëntor 2023. Drejtimin e agjencisë e mori zëvendësi i tij i parë, Tomislav Radovanović, i cili në dhjetor u emërua ushtrues detyre i drejtorit.

Radovanović më parë kishte drejtuar Shërbimin për Metoda të Posaçme Hetimore në Drejtorinë e Policisë Kriminale. Ky shërbim kryen ndjekje dhe regjistrime të fshehta në terren, si dhe mbikëqyr komunikimet telefonike dhe elektronike. Që nga qershori i vitit 2024, ai është zëvendësdrejtor i BIA-s.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi u mbajtën më 17 dhjetor 2023, njëkohësisht me zgjedhjet krahinore dhe ato lokale në 65 qytete. Pushteti shpalli fitore bindëse, ndërsa opozita, përfshirë koalicionin “Serbia kundër dhunës”, i kundërshtoi rezultatet dhe denoncoi parregullsi.

Kategoritë
LajmeRajoni