Zvicra nis pagesën e pensionit të 13-të, të pasurit paralajmërojnë donacione: “Jam i pasur, nuk më duhen para shtesë”

Zvicra nis pagesën e pensionit të 13-të, të pasurit paralajmërojnë donacione: “Jam i pasur, nuk më duhen para shtesë”

Në dhjetor, Zvicra do të paguajë për herë të parë pensionin e 13-të në kuadër të skemës së sigurimit për pleqërinë dhe familjarët pasjetues (AHV). Nga kjo pagesë do të përfitojnë qindra mijëra pensionistë në mbarë vendin.

Vetëm gjatë vitit të parë, për këtë pagesë do të ndahen mbi katër miliardë franga zvicerane. Meqë jo të gjithë përfituesit kanë nevojë për këto para shtesë, tashmë janë ndërmarrë nisma për t’i dhuruar ato.

Anëtarja e Këshillit Federal, Elisabeth Baume-Schneider (62), kishte deklaruar më herët në një intervistë se me gjasë një ditë do ta dhuronte shtesën e saj. Ngjashëm mendojnë edhe shumë figura të njohura në Zvicër.

Sipërmarrësi dhe ish-kampioni olimpik në bob, Hausi Leutenegger (85), tha se nuk kishte nevojë për para shtesë.

“Pagesa e 13-të e AHV-së? Këtë po e dëgjoj për herë të parë. Jam shumë i pasur dhe nuk më duhen para shtesë”, tha Leutenegger nga vila e tij në Gran Canaria.

Ai shtoi se tashmë e dhuron të gjithë pensionin e tij të rregullt.

“Njoh shumë njerëz në Zvicër që nuk kanë pasur fat në jetë dhe dua t’i mbështes. Veçanërisht për zemër i kam punonjësit e kompanisë sime”, u shpreh ai.

Një qëndrim të ngjashëm ka edhe ikona e patinazhit artistik Denise Biellmann, e cila në dhjetor mbush 64 vjeç dhe këtë vit del zyrtarisht në pension. Ajo vazhdon të jetë çdo ditë aktive në akull si trajnere dhe merr pjesë në shfaqje.

“Më vjen mirë që mund të marr diçka pa pasur nevojë të bëj ndonjë punë shtesë. Nëse punon shumë, duhet të kesh mundësi ta ruash standardin e jetesës”, tha Biellmann. Ajo shtoi se gjatë karrierës sportive kishte fituar mjaftueshëm dhe se paratë shtesë nuk i duheshin as për pushime, as për luks.

Në Zvicër janë ndërmarrë disa nisma humanitare që pagesat e atyre që nuk kanë nevojë për pensionin shtesë të shkojnë te njerëzit më në nevojë.

Fondacioni “13plus” u bën thirrje qytetarëve ta dhurojnë shtesën e pensionit për të luftuar varfërinë mes të moshuarve. Fondet e mbledhura do të ndahen në mënyrë të barabartë mes organizatave Pro Senectute, Caritas dhe Winterhilfe.

Fondacioni i sapokrijuar “Chance 13” mbledh fonde për të mbështetur të moshuarit dhe të rinjtë përmes organizatave Pro Senectute dhe Pro Juventute. Ndërkohë, nisma “Marrëveshja e Bazelit mes brezave” nxit solidaritetin mes brezave dhe dhurimin e një pjese të të ardhurave të brezave më të moshuar për të mbështetur të rinjtë.

Kategoritë
BotaLajme