Qeveria e Malit të Zi, të premten (27 nëntor), miratoi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, së bashku me të ashtuquajturin “Modeli Euro”, i cili parashikon një rritje drastike të pagave minimale në 1.000, 1.250 dhe 1.400 euro.
Ndërsa kryeministri Milojko Spajiq deklaron se “Evropa do të thotë të jetosh me standarde evropiane”, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmërojnë për rreziqe serioze të këtij programi, ndërsa analistët ekonomikë theksojnë se një model i ngjashëm nuk ekziston askund në Evropë.
Pagat minimale, të cilat aktualisht janë 600 dhe 800 euro, nga 1 janari pritet të rriten në 1.000, 1.250 dhe 1.400 euro. Me këtë veprim, Mali i Zi do të tejkalonte për nga niveli i pagës minimale një sërë vendesh anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat, sipas pothuajse të gjithë treguesve ekonomikë, janë dukshëm më të zhvilluara.
Me pothuajse dy javë vonesë nga afati ligjor, Qeveria miratoi projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet të jetë mbi pesë miliardë euro. Sipas vlerësimeve të para, për financimin e buxhetit do të mungojnë të paktën 1,8 miliardë euro, ndërsa deficiti buxhetor mund të arrijë në rreth 540 milionë euro, përkatësisht gjashtë për qind të Bruto Produktit Vendor (BPV).
Kjo është dyfishi i kufirit të përcaktuar nga kriteret e Mastrihtit të Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit Mali i Zi synon të bëhet së shpejti.
“Nuk njoh asnjë vend evropian që në të njëjtën ditë ka rritur pagën minimale me dy të tretat, ka vendosur tri nivele të pagës minimale në varësi të nivelit të arsimimit dhe ka hequr kontributet për sigurimin pensional. Shtetet i zbatojnë gradualisht ndryshimet e këtyre përmasave, me studime të ndikimit dhe periudha kalimtare, ndërsa Mali i Zi dëshiron t’i zbatojë të gjitha më 1 janar 2027, pa publikuar asnjë përllogaritje”, deklaroi për DW analisti ekonomik Millosh Vukoviq.
FMN-ja paralajmëron për inflacion, deficit dhe rritje të borxhit
Vukoviq paralajmëron se reformat që i prezantohen opinionit publik përpara publikimit të projeksioneve të tyre financiare, shpesh nuk kanë një bazë mjaftueshëm të qëndrueshme.
Sipas tij, nuk është zhvilluar asnjë debat publik dhe nuk është prezantuar asnjë analizë fiskale, ndërsa ministri i Financave, Novica Vukoviq, fillimisht nuk e kishte mbështetur programin.
Ai shton se “Modeli Euro” nuk ishte parashikuar as në Strategjinë Fiskale dhe as në Programin e Reformës së Financave Publike të Malit të Zi deri në vitin 2031.
Kryeministri Milojko Spajiq, i cili prezantoi “Modelin Euro” më 17 shtator, pavarësisht paralajmërimeve të ekonomistëve vendas, opozitës dhe FMN-së, nuk heq dorë nga zbatimi i tij.
Ai pretendon se ky model do të ndalojë largimin e të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe do t’u mundësojë qytetarëve një standard jetese të krahasueshëm me atë evropian.
Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi disa ditë më parë se “Modeli Euro” mund të shkaktojë rritje të inflacionit, rritje të deficitit buxhetor në nëntë për qind të BPV-së dhe rritje të borxhit publik në 72 për qind të BPV-së.
Sipas vlerësimeve të FMN-së, modeli do të përshpejtonte rritjen ekonomike në periudhën afatshkurtër, por në kurriz të një deficiti më të lartë fiskal dhe një bilanci më të dobët të tregtisë së jashtme. E gjithë kjo ndodh në një kohë kur rritja ekonomike e Malit të Zi tashmë po ngadalësohet në rreth tre për qind në vit.
Punëdhënësit malazezë kanë paralajmëruar se për shkak të masave të reja, deri në 18.000 punëtorë mund të humbasin vendet e tyre të punës.
“Kur një institucion që monitoron financat publike të vendeve anëtare paralajmëron se përfitimet afatshkurtra sjellin kosto afatgjata, Qeveria duhet të përgjigjet me shifra dhe jo me akuza politike.
Paga nuk mund të përcaktohet thjesht me ligj, ajo duhet të fitohet. Ligji mund ta rrisë pagën minimale, por nuk mund ta rrisë produktivitetin. Diferencën ndërmjet pagës së përcaktuar dhe vlerës që krijon punëtori dikush duhet ta paguajë: konsumatori përmes çmimeve më të larta, punëtori përmes humbjes së vendit të punës ose pagesës informale të një pjese të pagës, ndërsa shteti përmes huamarrjes së re”, deklaroi Vukoviq.
Çështja e sistemit pensional
Më shumë se dy muaj pas prezantimit të “Modelit Euro”, as kryeministri Spajiq dhe as ministri i Financave nuk i kanë prezantuar opinionit publik një analizë të detajuar të ndikimit të këtij programi.
Gjithashtu, nuk dihet nëse një analizë e tillë ka ekzistuar përpara shpalljes së projektit.
Opozita paralajmëron veçanërisht se pensionistët mund të jenë ndër humbësit më të mëdhenj, pasi rritjen e parë të pensioneve mund ta përfitojnë vetëm në prill të vitit të ardhshëm. Deri atëherë, Qeveria ka paralajmëruar një ndihmë të njëhershme prej 100 eurosh në fund të vitit.
“Modeli Euro” përfaqëson gjithashtu hapin përfundimtar në heqjen graduale të kontributeve mbi pagat, proces që kishte filluar me programet “Evropa Tani 1” dhe “Evropa Tani 2”.
Pas heqjes së kontributeve për sigurimin shëndetësor dhe zvogëlimit të kontributeve pensionale, tani parashikohet heqja e plotë e tyre. Në këtë mënyrë, Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor do të mbetej pa një burim të vetin dhe të qëndrueshëm të të ardhurave.
“Dëmi më i madh mund të shkaktohet pikërisht në sistemin pensional. Pa kontribute, pensioni pushon së qeni një e drejtë e fituar dhe shndërrohet në një zë buxhetor. Kryeministri thotë se shteti garanton pensionet. Garancia shtetërore nuk është burim të ardhurash, por një premtim se çdo qeveri e ardhshme do të gjejë para për pagesën e tyre. Prej vitesh i përcjell rishikimet e buxhetit dhe e di se çfarë zvogëlohet së pari kur nuk ka para: ajo që nuk ka një burim të mbrojtur financimi”, paralajmëron Vukoviq.
Duke qenë se Mali i Zi nuk ka monedhën e vet, çdo mungesë të mjeteve financiare duhet ta mbulojë përmes huamarrjes.
“Pensionet do të rriten vetëm nga prilli, pagat nga janari, ndërsa zgjedhjet janë vitin e ardhshëm. Qytetarët do t’i ndiejnë rritjet përpara zgjedhjeve, ndërsa faturën pas tyre”, përfundon Vukoviq.
Euroizimi dhe rruga drejt eurozonës
Mali i Zi që në vitin 2002 e kishte miratuar në mënyrë të njëanshme euron si mjet zyrtar pagese, por ende nuk është anëtar i eurozonës dhe as i Bashkimit Monetar Evropian.
Duke qenë se vendi nuk ka monedhën e vet, kursi i së cilës do të krahasohej me euron, Bashkimi Evropian ka zhvilluar një model të posaçëm për vlerësimin e gatishmërisë së Malit të Zi për anëtarësim në eurozonë, të cilin Podgorica e pranoi në maj të këtij viti.
Bashkimi Evropian nuk vlerëson vetëm përdorimin teknik të euros, por edhe qëndrueshmërinë e ekonomisë në tërësi.
Vëmendje e veçantë i kushtohet varësisë nga kapitali i huaj dhe huamarrja, ndikimit të rritjes së pagave dhe çmimeve në konkurrueshmërinë e ekonomisë, si dhe rezistencës së sistemit bankar dhe financiar ndaj goditjeve të mundshme ekonomike.
Kur Mali i Zi të bëhet zyrtarisht anëtar i eurozonës, qytetarët do të vazhdojnë të përdorin të njëjtat kartëmonedha dhe monedha si sot, por në një mjedis institucional shumë më të rregulluar dhe nën mbikëqyrjen e institucioneve evropiane.
Mbetet e hapur çështja nëse atëherë do të ulen normat e interesit për kreditë banesore dhe kreditë në para të gatshme, nëse depozitat e kursimeve do të gëzojnë mbrojtje shtesë dhe nëse do të rritet besimi i investitorëve.
Zyrtarët evropianë dhe malazezë vazhdojnë të presin që Mali i Zi të mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, ndërsa anëtarësimi në eurozonë mund të ndodhë disi më vonë.
