Mali i Zi do të paguajë rreth 18 milionë euro dëmshpërblim për ish-të burgosurit kroatë

Mali i Zi do të paguajë rreth 18 milionë euro dëmshpërblim për ish-të burgosurit kroatë

Qeveria e Malit të Zi miratoi të premten raportin mbi përfundimin e negociatave me Kroacinë për dëmshpërblimin e shtetasve kroatë të mbajtur në kampin e Morinjit, që përbën një nga kushtet e vendosura nga Zagrebi për përfundimin e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Siç njoftoi Qeveria, marrëveshja rregullon dëmshpërblimin e shtetasve kroatë, të cilëve nga 30 shtatori 1991 deri më 18 gusht 1992 u ishte hequr liria me forcë, ose që ishin privuar nga liria dhe torturuar në kampet në territorin e Malit të Zi.

Dëmshpërblimi përfshin edhe trashëgimtarët e personave, vdekja e të cilëve mund të lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin në kamp. Marrëveshja dhe protokolli për zbatimin e saj do të nënshkruhen në emër të Qeverisë malazeze nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq.

Qeveria nuk e ka bërë të ditur shumën në njoftimin e saj. Gazeta malazeze Vijesti, duke iu referuar burimeve nga pushteti ekzekutiv, shkruan se bëhet fjalë për rreth 18 milionë euro, nga të cilat do të zbriten shumat që disa ish-të burgosur kanë marrë tashmë në bazë të vendimeve të gjykatave malazeze.

Shuma e dëmshpërblimit do të përcaktohet individualisht. Mjetet financiare do të transferohen në buxhetin shtetëror të Kroacisë, ndërsa listat e personave përfitues do të jenë pjesë e protokollit.

Ndihmë edhe për familjet e viktimave nga Lubushka dhe Mostari

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi edhe informacionin për dhënien e ndihmës së njëhershme financiare për familjet e viktimave të kampit Lora në Split, si dhe të kampeve në zonat e Lubushkës dhe Mostarit.

“Qeveria pajtohet që të ndahet një ndihmë e njëhershme financiare në vlerë prej 200.000 eurosh për personat, përkatësisht familjet e personave që kanë qenë në kampe”, thuhet në informacionin e Qeverisë.

Qeveria sqaroi se krimet nuk kishin ndodhur në territorin e Malit të Zi, por viktimat ishin shtetas të tij. Ndihma u cilësua si një masë shtesë, sipas modelit të ndihmës së ofruar për familjet e viktimave civile në Shtërpcë, Murinë dhe Tuz.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, njoftoi në rrjetin social X se propozimi lidhur me kampin Lora ishte miratuar me iniciativën e tij dhe me propozimin e zëvendëskryeministrit Budimir Aleksiq. Numri i familjeve përfituese dhe afati i pagesës nuk janë bërë të ditura.

Në burgun ushtarak Lora, gjatë vitit 1992, ishin mbajtur civilë dhe robër lufte, ndër të cilët edhe pjesëtarë të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) nga Mali i Zi. Tetë pjesëtarë të Policisë Ushtarake kroate janë dënuar nga gjykatat kroate për krime lufte në rastet “Lora 1” dhe “Lora 2”.

Tetë kushtet e Kroacisë

Dëmshpërblimi i ish-të burgosurve të kampit të Morinjit është një nga tetë çështjet e hapura, zgjidhjen e të cilave Kroacia ia kërkon Malit të Zi përpara përfundimit të negociatave të anëtarësimit.

Çështjet e tjera lidhen me pronësinë e anijes shkollore “Jadran”, fatin e personave të zhdukur, ndjekjen penale të krimeve të luftës, kthimin e pronave dhe përcaktimin e kufijve.

Në tetor, Qeveria malazeze miratoi vendime për ruajtjen e pllakës përkujtimore në Morinj dhe ndryshimin e emrit të pishinës së qytetit në Kotor.

Sipas agjencisë kroate të lajmeve Hina, Kroacia kundërshton mbylljen e kapitullit 31, i cili ka të bëjë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Javën e kaluar, Zagrebi nuk dha pëlqimin as për mbylljen e kapitullit për energjinë, për shkak të mosmarrëveshjes mbi përcaktimin e kufirit detar.

Mali i Zi synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti dhe të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028.

Kategoritë
LajmeRajoni