Shërbimet ukrainase arrestojnë spiune ruse: E maskuar si nënë me fëmijë, dërgonte koordinata për sulme raketore

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka arrestuar në Odesa një agjente të shërbimit rus FSB, e cila po përgatiste objektiva për sulme të reja me raketa dhe dronë në qytet.

Sipas autoriteteve, ajo kishte për detyrë të fotografonte pozicionet e forcave ukrainase dhe t’u dërgonte rusëve koordinatat e këtyre vendndodhjeve në zona të ndryshme të Odesës. Lidhja e saj e ngushtë me kanale proruse në Telegram ngriti dyshime te hetuesit ukrainas.

Gruaja 39-vjeçare vepronte në terren si spiune e fshehtë e FSB-së, duke fotografuar bazat e ushtrisë dhe ndërtesat ku strehoheshin ushtarët ukrainas. Për të fshehur aktivitetin e saj, ajo merrte me vete djalin e saj gjashtëvjeçar, duke u paraqitur si një nënë që po shëtiste fëmijën.

Pas çdo fotografie të objektivave ushtarake, ajo dërgonte koordinatat GPS te mbikëqyrësi i saj rus.

Në këmbim të shërbimeve të saj, FSB i kishte premtuar nxjerrjen nga Ukraina dhe sigurimin e një vendi pune në Rusi. Megjithatë, planet për arratisje u prishën nga ndërhyrja e menjëhershme e SBU-së.

Sipas ligjeve ukrainase, ajo përballet me burgim të përjetshëm dhe konfiskim të pasurisë.

Kategoritë
BotaLajme