Shefi i diplomacisë hungareze Peter Szijjártó: Ukraina nuk mund të hyjë në BE para vendeve të Ballkanit Perëndimor

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, hodhi sot poshtë “presionin e madh” nga Brukseli për t’i dhënë përparësi pranimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke këmbëngulur se ajo nuk mund të bëhet anëtare para vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Duke folur në një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Szijjártó paralajmëroi se anëtarësimi i Ukrainës mund ta dëmtojë BE-në në aspektin ekonomik dhe të sigurisë.

Ai e hodhi poshtë idenë se Ukraina është më e përgatitur për anëtarësim sesa vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i quajtur këto pretendime “thjesht absurditete”.

Szijjártó theksoi se Hungaria mbetet një nga përkrahëset më të forta të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, duke argumentuar se integrimi i rajonit do të forconte stabilitetin, besueshmërinë dhe të ardhmen e vetë Bashkimit Evropian.

“E ardhmja e besueshmërisë së BE-së varet nga ajo nëse do të jemi në gjendje të përmbushim më në fund premtimin tonë për zgjerim ndaj fqinjëve tanë më të afërt”, tha ai, duke theksuar se disa vende të Ballkanit Perëndimor kanë dekada që presin, pavarësisht përmbushjes së kushteve kryesore.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova – ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE.

Mali i Zi dhe Serbia janë në negociata zyrtare, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i nisën ato në vitin 2022. Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit po atë vit, por ende nuk ka hapur negociatat. Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por ende pret të marrë statusin e kandidatit.

Szijjártó gjithashtu kritikoi standardet e dyfishta të BE-së, duke shtuar se disa shtete anëtare pengojnë negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe nuk përballen me kritika – ndryshe nga Hungaria, e cila, sipas tij, kritikohet kur mbron të drejtat e hungarezëve etnikë në rajonin ukrainas të Transkarpatit.

Kategoritë
BotaLajme