Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, pritet të vizitojë Washingtonin më 10 nëntor, ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ka deklaruar për Axios i dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack.
Kjo do të jetë vizita e parë e një presidenti sirian në Shtëpinë e Bardhë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe – një hap që shënon përmirësimin më të madh në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë në dekada.
Sipas Barrackut, gjatë vizitës pritet të nënshkruhet një marrëveshje për anëtarësimin e Sirisë në koalicionin amerikan kundër ISIS-it.
Administrata e presidentit Trump javën e kaluar ka bërë të ditur se mbështet iniciativën e Kongresit për heqjen përfundimtare të sanksioneve “Caesar” ndaj Sirisë.
Ligji i njohur si Caesar Syria Civilian Protection Act u miratua në qershor 2020 dhe mori emrin nga një ish-oficer ushtarak sirian që publikoi mijëra fotografi të civilëve të torturuar dhe vrarë në burgjet e regjimit të Bashar al-Asadit. Sanksionet kishin në shënjestër regjimin e Asadit dhe të gjitha kompanitë që bashkëpunonin me të, sidomos në fushat e energjisë, ndërtimit dhe financave.
Megjithëse administrata Trump kishte dhënë më herët lehtësime të përkohshme, vetëm Kongresi ka autoritetin për heqjen e plotë të sanksioneve.
Vizita e fundit e një zyrtari të lartë sirian në Shtëpinë e Bardhë ndodhi në dhjetor të vitit 1999, kur ministri i jashtëm i atëhershëm Farouk al-Sharaa vizitoi Washingtonin për bisedimet e paqes me Izraelin.
Barrack tha se pas vizitës së presidentit al-Sharaa pritet të mbahet rrethi i pestë i negociatave direkte midis Izraelit dhe Sirisë, me ndërmjetësimin amerikan. Sipas tij, qëllimi i Uashingtonit është arritja e një marrëveshjeje sigurie kufitare midis dy vendeve deri në fund të vitit.













