Serbët në Mitrovicë të Veriut e Leposaviq mblidhen për nënshkrimin e peticionit, Policia: Situata e sigurisë është e qetë

Një numër i konsiderueshëm i serbëve janë mbledhur para sallës së sporteve në Mitrovicë të Veriut ku ka nisur nënshkrimi i peticionit për largimin e kryetarit Erden Atiq.

Mediat lokale atje raportojnë se mbledhja e nënshkrimeve ka nisur që nga ora 09:00, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Siç raporton Kossev, peticioni tashmë i nënshkruar me 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga kjo komunë  deri më 22 janar duhet t’i dorëzohet kryesuesit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ekziston mundësia e shtyrjes së afatit edhe për 15 ditë.

Nënshkrimi i peticionit ka nisur edhe në Leposaviq.

E nga Policia e Kosovës kanë thënë  për Reporteri.net se situata e sigurisë është e qetë dhe nuk ka ndonjë parregullsi.

Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona. /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi