Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në deklaratën që dha për mediat në Tiranë, nuk pranoi që të komentonte deklaratat e kryeministrit Edi Rama për qëndrimin ndaj Kosovës por shtoi se Kosova nuk ka asnjë shtetet më afër sesa Shqipëria ndaj kërkoi më shumë kujdes me deklaratat.
“Veriu është pjesë e Kosovës, e një shteti sovran dhe të pavarur dhe Kosova si e tillë është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Sovraniteti i Kosovës nuk duhet të diskutohet nga askush.
Nganjëherë ka deklarata që të bëjnë të habitesh shumë. Nuk do doja të komentoja kryeministrin e Shqipërisë dhe të ndikojë në thellimin e keqkuptimeve, përveç një arsye sepse Kosova nuk ka asnjë shtet më afër sesa Shqipëria dhe bashkëpunimi është i jashtëzakonshëm.
Kosova nuk është objekt, por është subjekt. Kosova ka subjektivitetin e saj dhe si subjektivet Kosova merr pjesë në të gjitha forumet. Bëj thirrje që në vend të deklarimeve të pamatura duhet një bashkërendim, një bisedim me i sinqertë për të zgjidhur situatat”, theksoi ajo.














