Schalke 04 brenda 24 orësh shiti 6.000 fanella me mbiemrin e Džekos dhe fitoi rreth 600.000 euro

Ardhja e Edin Džeko te Schalke 04 shkaktoi një ethe të vërtetë futbolli në Gelsenkirchen. Transferimi i kapitenit të përfaqësueses së Bosnje dhe Hercegovinës u konfirmua zyrtarisht të enjten, më 22 janar, ndërsa që në stërvitjen e parë një ditë më pas, klubi u përball me një rritje të paprecedentë të interesimit nga tifozët dhe mediat.

Stërvitja e Schalke-s, e cila u hap për publikun në një afat shumë të shkurtër, mblodhi plot 1.200 tifozë që dëshironin ta shihnin nga afër përforcimin e ri në sulm. Në kushte normale, stërvitjet tërheqin vetëm disa qindra shikues. Edhe interesimi i mediave ishte i jashtëzakonshëm: kameramanë, fotografë dhe gazetarë mbushën fjalë për fjalë tribunat dhe hapësirën përreth fushës.

Tifozët e Schalke-s po kërkojnë me ngulm një lojtar që mund të jetë kyç në luftën për rikthimin në një rang më të lartë garash, dhe Edin Džeko shihet si profili ideal për këtë mision. Sapo hyri në fushë, ai u prit me duartrokitje të fuqishme. Bashkëlojtarët dhe stafi teknik e përshëndetën me një gardë nderi tradicionale, shoqëruar me përqafime miqësore dhe buzëqeshje.

39-vjeçari Džeko u stërvit me të gjithë ekipin, duke punuar në teknikë dhe goditje. Ai jonglonte me topin, provonte të shënonte gola, ndërsa çdo veprim i tij shoqërohej me duartrokitje dhe ovacione, pavarësisht rezultatit.

Në tribuna kishte edhe disa tifozë boshnjakë që kishin ardhur për të parë heroin e tyre kombëtar. Njëri prej tyre mbante edhe një kapelë verdhë e blu me ngjyrat e Bosnje dhe Hercegovinës.

Shifrat e pasqyrojnë më së miri euforinë: në 24 orët e para, Schalke 04 shiti mbi 6.000 fanella me emrin dhe numrin e Džekos. Duke qenë se çmimi i një fanele është 102 euro, “Minatorët” fituan tashmë rreth 612.000 euro. Tifozët ëndërrojnë një yll dhe golashënues që do t’i përmbushë pritshmëritë e mëdha.

Pas stërvitjes u krijua një kaos i vërtetë. Džeko iu afrua gardhit mbrojtës për të shpërndarë autografe, ndërsa sigurimi mezi përballonte turmën e madhe. Të panumërt ishin tifozët që dëshironin një foto ose një autograf nga kapiteni i “Zmajëve”, i cili mbeti i qetë, i buzëqeshur dhe i durueshëm.

Pritet që Edin Džeko të debutojë që të dielën, kur Schalke pret KaiserslauternVeltins-Arena. Qoftë nëse nis nga minuta e parë apo futet nga stoli, një gjë është e qartë: hyrja e tij në fushë do ta ndezë edhe më shumë atmosferën. Një gol i mundshëm mund ta çojë stadiumin në një ekstazë të plotë.

Kategoritë
Sport