S’certifikohen dy subjekte për shkak të emrit të tyre, Cakolli kritikon KQZ-në: Thua janë lektorë, kjo burokraci është shndërruar në cenzurë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot vendosi për certifikimin grupit të tretë me 39 subjekte politike, prej të cilave 25 iniciativa qytetare dhe 14 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Megjithatë, dy subjekte politike që ishin paraparë të merrnin miratimin për certifikim sot, nuk kaluan. Arsyeja për këtë ishin emrat e tyre; njëra kishte gabim drejtshkrimor, tjetra i ngjante Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Lidhja e Prishtinës” u kundërshtua nga anëtari i LDK-së në KQZ, duke thënë se është në kundërshtim me parimet e certifikimit të subjekteve politike, pasi, sipas tij, ky emërtim është shumë i ngjashëm me brendin dhe identitetin e LDK-së.

Zyra për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të partive politike në KQZ, ka tërhequr nga lista iniciativën qytetare “Lëvizja për Bashkimin e Shqipëtarëve”, për shkak të gabimit drejtshkrimor në fjalën “Shqipëtarëve”.

Këtë vendim të KQZ-së e ka kritikuar Eugen Cakolli KDI, i cili tha se kjo burokraci është ndërruar në cenzurë.

“KQZ-ja paska vazhduar sot me praktikën kundërligjore e të pakuptimtë të cenimit të së drejtës kushtetuese të subjekteve për pjesëmarrje në zgjedhje – vetëm për shkak të emrit të tyre. Një iniciativë qenka refuzuar sepse emri i saj i ngjante një slogani të LDK-së të vitit 2017 – me insistim të kësaj të fundit. Një tjetër u refuzua për një gabim drejtshkrimor.  Kjo është thjesht burokraci e shndërruar në censurë. E drejta për të garuar është themel i demokracisë”.

Cakolli tha se asnjë parti nuk ka monopolin mbi brendet apo kujtimet e fushatave dhe tha se anëtarët e KQZ-së s’janë lektorë.

“Për më keq, është e papranueshme të refuzohen subjekte për gabime gjuhësore, thua ti se anëtarët e KQZ-së janë lektorë. Rregullat duhet të zbatohen me barazi, jo sipas tekeve apo interesave të përfaqësuesve partiakë në KQZ”.

Kategoritë
LajmeVendi