Salla Concertgebouw në Amsterdam anulon koncertin e festës hebraike Hanukkah për pjesëmarrjen e një zyrtari izraelit

Salla Concertgebouw tha se ka ndërprerë marrëveshjen e saj pasi diskutimet e përsëritura nuk arritën një kompromis për zëvendësimin e Shai Abramsonit, drejtuesit të korit të ushtrisë, i cili ishte planifikuar të performojë në ngjarjen e 14 dhjetorit

Salla e famshme e koncerteve “Royal Concertgebouw” ka anuluar koncertin vjetor për festën hebraike Hanukkah, duke përmendur kundërshtimin ndaj pjesëmarrjes së një zyrtari nga ushtria izraelite.

Siç mëson Anadolu, salla e famshme e koncerteve tha se ka ndërprerë marrëveshjen e saj me Fondacionin e Koncerteve të Hanukkah, pasi diskutimet e përsëritura nuk arritën një kompromis për zëvendësimin e Shai Abramsonit, drejtuesit të korit të ushtrisë, i cili ishte planifikuar të performojë në ngjarjen e 14 dhjetorit.

Drejtori i përgjithshëm i sallës Concertgebouw, Simon Reinink, tha se pjesëmarrja e Abramsonit është “diametralisht e kundër me misionin tonë, lidhjen e njerëzve përmes muzikës”.

“Vetëm në rrethana shumë të jashtëzakonshme bëjmë një përjashtim nga parimi ynë i rëndësishëm i lirisë artistike. Me trishtim të madh, një përjashtim i tillë ka lindur tani”, tha Reinink.

Concertgebouw tha se roli i Abramsonit mban një pozicion ceremonial dhe fetar brenda ushtrisë izraelite, duke ofruar lutje dhe duke drejtuar shërbime në ceremoni zyrtare dhe përkujtimore.

Bisedimet midis sallës Concertgebouw dhe Fondacionit të Koncerteve të Hanukkah thuhet se filluan gjatë verës për të zgjidhur çështjen në fjalë, por fondacioni këmbënguli në përfshirjen e Abramsonit në program, duke bërë që salla e famshme të anulojë marrëveshjen.

Pavarësisht vendimit, Concertgebouw shprehu mbështetjen e vazhdueshme për komunitetin hebraik dhe tha se salla “do të mbetet gjithmonë një vend ku komuniteti hebraik është i mirëpritur”, veçanërisht në një kohë të rritjes së antisemitizmit.

Kategoritë
BotaLajme