Salah në një darkë sekrete me ish-bashkëlojtarin: A po i hap egjiptiani dyert e Ligës Pro Saudite?

Gazeta britanike The Sun ka publikuar fotografi që zbulojnë një takim sekret mes Mohamed Salahut dhe Jordan Hendersonit në restorantin elitar Scalini në Londër.

Dy ish-bashkëlojtarët e Liverpoolit u përpoqën ta fshehin identitetin e tyre me maska dhe kapele, por u njohën nga një tifoz i Aston Villës, i cili i fotografoi gjatë darkës.

Takimi vjen në një moment kur Salah ndodhet në konflikt të hapur me trajnerin Arne Slot. Egjiptiani deklaroi së fundmi se nuk ndihet i vlerësuar dhe la të kuptohet se mund të mos luajë më për klubin pas Kupës së Kombeve të Afrikës.

Slot as që e ftoi atë për ndeshjen e fundit të Ligës së Kampionëve kundër Interit, çka konfirmoi përçarjen mes Salahut dhe klubit nga Anfieldi.

Henderson sezonin e kaluar luajti në Arabinë Saudite, gjë që menjëherë shtoi spekulimet se tema e bisedës ishte një transferim i mundshëm i Salahut. Nga Liga Pro Saudite është thënë se Salah është i mirëpritur, ndërsa Al-Hilal e ka në radar prej kohësh.

Dëshmitari që i fotografoi dy futbollistët pohon se Salah bënte shumë pyetje dhe dëgjonte me vëmendje shpjegimet e Hendersonit.

Arne Slot konfirmoi se sot do të bisedojë me Salahun për ta sqaruar situatën, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye pse të mos dëshirojë që Mo të qëndrojë.

Egiptiani më herët kishte deklaruar se ndihet i shfrytëzuar dhe se klubi po përpiqet t’ia hedhë fajin atij, ndërsa kjo darkë sekrete i ka nxehur edhe më shumë zërat për largimin e tij nga Liverpooli.

Kategoritë
Sport