Sadiq Khan: Netanyahu nuk është i mirëpritur në Londër, do të kërkoja arrestimin e tij – në Gaza po kryhet gjenocid

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, ka deklaruar se Benjamin Netanyahu nuk është i mirëpritur në kryeqytetin britanik dhe se do t’i kërkonte qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të zbatonte urdhërarrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Khan, në një intervistë për Channel 4 News, tha se ka kompetenca të ndryshme nga Zohran Mamdani, por se beson se në Gaza po kryhet gjenocid dhe se kryeministri izraelit mban përgjegjësi.

“Unë besoj se në Gaza po kryhet gjenocid. Mendoj se Netanyahu është përgjegjës”, tha ai.

Duke folur për një vizitë të mundshme të Netanyahut në Londër, kryetari i qytetit tha se ai aktualisht nuk po vjen në kryeqytetin britanik, por se nëse kjo do të ndryshonte, do të lobonte pranë qeverisë britanike që ligji të zbatohej.

“Njerëzit që kryejnë gjenocid nuk janë të mirëpritur në Londër”, tha Khan.

Në tekst kujtohet se ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, në nëntor të vitit 2024 u lëshuan urdhërarreste për akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që dyshohet se janë kryer në Gaza që nga tetori i vitit 2023.

Gjithashtu thuhet se ky ishte rasti i parë në historinë 24-vjeçare të gjykatës që u lëshuan urdhërarreste ndaj zyrtarëve të lartë të një shteti aleat të ngushtë me Perëndimin.

Një qëndrim të ngjashëm shprehu më herët këtë javë edhe Zohran Mamdani, kryetari i Nju Jorkut, i cili tha se nuk ka kompetenca ligjore për ta zbatuar urdhërarrestin, por se do t’i kërkonte qeverisë federale amerikane ta bënte këtë.

Sipas raportimeve, Netanyahu pritet të udhëtojë në Nju Jork në shtator për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Statutit të Romës, të 125 shtetet palë, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë detyrim ligjor për t’i arrestuar Netanyahun dhe Gallantin dhe për t’ia dorëzuar gjykatës.

Megjithatë, gjykata nuk ka mekanizma të saj të zbatimit dhe gjykimi nuk mund të fillojë në mungesë të të akuzuarve.

Kategoritë
BotaLajme