Sabalenka kundërshton ndeshjet ndaj tenisteve transgjinore: “Nuk është e drejtë ndaj grave”

Tenistja më e mirë në botë, Arina Sabalenka, ka folur për mundësinë që tenistet transgjinore të marrin pjesë në WTA Tour, gjë që mund të ndodhë për herë të parë që nga viti 1981.

WTA, organi më i lartë i tenisit botëror, në parim e lejon pjesëmarrjen e grave transgjinore, por vetëm nën kontrolle të rrepta hormonale.

Sipas rregullave, ato mund të konkurrojnë në kategorinë e femrave vetëm nëse:

  • kanë së paku katër vite që identifikohen si gra,

  • kanë nivel të ulët të testosteronit,

  • dhe pranojnë t’i nënshtrohen testimeve të rregullta.

Tenistja e fundit transgjinore që ka luajtur në WTA Tour ka qenë Renee Richards, e cila debutoi në vitin 1977 në moshën 43-vjeçare dhe dy vite më vonë arriti vendin e 20 në renditjen botërore. Në pension doli në vitin 1981 dhe që nga ajo kohë asnjë person transgjinor nuk ka konkurruar më në kategorinë e femrave.

Sabalenka, në një intervistë për Piers Morgan, tha se shpreson që kjo të mos ndryshojë.

Nuk kam asgjë kundër personave transgjinorë, por mendoj se ata ende kanë një përparësi të madhe fizike ndaj grave. Nuk është e drejtë që gratë të përballen me atë që në thelb janë meshkuj biologjikisht më të fortë. Imagjinoni një grua që ka stërvitur gjithë jetën për të arritur kufijtë e saj, e pastaj duhet të luajë kundër një burri që është fizikisht shumë më i fuqishëm. Nuk jam dakord me këtë në sport”, tha bjellorusja.

Sabalenka do të luajë më 28 dhjetor një ndeshje ekshibicioni kundër Nick Kyrgios në “Beteja e gjinive” në Dubai.

Kategoritë
Sport