Legjenda e futbollit anglez David Beckham ka realizuar fitime të mëdha gjatë Kupës së Botës 2026, duke e rritur më tej pasurinë e tij, e cila vlerësohet në më shumë se 1,38 miliardë euro.
Edhe pse karrierën si futbollist e përfundoi më shumë se një dekadë më parë, ish-kapiteni 51-vjeçar i Anglisë ishte një nga figurat më të pranishme në reklamat televizive në mbarë botën dhe thuhet se fitoi rreth 22,1 milionë euro.
Analistët thonë se Beckham gjatë turneut bashkëpunoi me disa prej markave më të mëdha botërore, duke promovuar produkte dhe shërbime të ndryshme, nga bankat deri te industria ushqimore.
“Markat bashkëpunojnë me Beckhamin sepse ai është i besueshëm dhe lehtësisht i dallueshëm”, kanë deklaruar nga kompania analitike Marketing Made Clear.
Eksperti i brendimit Nick Ede shpjegoi se kompanitë janë të gatshme të shpenzojnë dhjetëra miliona për të siguruar figura të njohura që mund të tërheqin menjëherë vëmendjen gjatë reklamave, pasi e dinë se në këtë mënyrë arrijnë një audiencë prej disa miliardë njerëzish.
Përfitime financiare nga Botërori pati edhe djali i tij, Brooklyn Beckham, i cili thuhet se fitoi rreth një milion dollarë për paraqitjen në një reklamë.
Ky val i ri të ardhurash e ka forcuar edhe më shumë statusin financiar të familjes së njohur britanike, pasuria e së cilës, së bashku me bashkëshorten e tij Victoria Beckham, vlerësohet në rreth 1,38 miliardë euro.
Ish-ylli i Manchester United kështu ka treguar edhe një herë se si një emër sportiv mund të shndërrohet në një markë që shkon shumë përtej kufijve të futbollit.














