Trupat ruse po përgatiten për një ofensivë të re javët në vijim për të rritur presionin mbi Ukrainën dhe për të forcuar pozicionin e Kremlinit në negociatat për një armëpushim. Analistët thonë se ofensiva e re mund të zgjasë nga gjashtë deri në nëntë muaj, sipas agjencisë AP.
Zyrtarë dhe analistë kanë thënë se kjo do t’i jepte liderit rus Vladimir Putin arsye për të zvarritur negociatat për armëpushim në përpjekje për të pushtuar edhe më shumë territor.
Zyrtarët ukrainas kanë përsëritur se Rusia nuk është e interesuar për një dialog të vërtetë për përfundimin e luftës.
Analistë dhe komandantë ushtarakë i thanë AP-së se, ndërsa po afrohet sezoni pranveror i luftimeve, Kremlini po përgatitet për një ofensivë në disa drejtime përgjatë vijës së kontaktit prej 1.000 kilometrash.
Duke u bazuar në të dhëna të inteligjencës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Rusia po përgatit sulme të reja në rajonet Sumy, Kharkiv dhe Zaporizhja.
AP vuri në dukje se në veri, ushtarët rusë dhe koreano-veriorë thuajse ia kanë hequr Kievit një kartë të rëndësishme për negociata, duke rimarrë shumicën e rajonit rus të Kurskut. Në frontin lindor, luftimet gjithashtu janë përshkallëzuar në rajonet e Donetskut dhe Zaporizhjës.
Disa komandantë janë të shqetësuar se Rusia mund të transferojë forca të kalitura në beteja nga Kursku në pjesë të tjera të Ukrainës lindore.
“Do të jetë e vështirë. Forcat nga Kursku do të jenë në nivel të lartë pas fitoreve të tyre atje,” tha një komandant i batalionit ukrainas që lufton në rajonin e Donetskut, në kushte anonimiteti.
Analisti ushtarak Oleksii Hetman, i cili ka lidhje me shtabin e përgjithshëm ushtarak, i tha AP-së se Rusia po përgatit ofensiva në vijën e parë të frontit që pritet të zgjasin nga gjashtë deri në nëntë muaj – pothuajse gjatë gjithë vitit 2025.