Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, ka komentuar deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me shitjen e municioneve Bashkimit Evropian.
Ai së fundmi ka deklaruar se Serbia është e detyruar të vazhdojë tregtinë e armëve me vendet e Bashkimit Evropian, madje edhe nëse mallrat e shitura përfundojnë në Ukrainë.
Siç tha Zaharova, Moska nis nga supozimi se Beogradi do t’i përmbahet premtimeve të veta dhe nuk do t’i dërgojë armë Ukrainës,
“Lideri serb jep deklarata të caktuara kur është në Moskë, e krejt të tjera kur ndodhet në pjesë të tjera të rajonit, gjë që krijon përshtypjen se në Serbi ndoshta ekziston edhe një president tjetër Vuçiq”, tha ajo.
“Shumë herë, përfshirë edhe në nivelet më të larta, kemi marrë nga udhëheqja e Serbisë deklarata se eksporti i municioneve me origjinë serbe është nën kontroll të rreptë dhe se kjo prodhimtari nuk do t’i dërgohet Ukrainës, në mënyrë që Kievi të mos mund ta përdorë kundër ushtarëve tanë”, shtoi zyrtarja ruse.
Njëkohësisht, Zaharova kujtoi se “ushtarët rusë shumë herë i kanë ardhur në ndihmë të popullit vëllazëror serb”.
“Refuzoj madje edhe të diskutoj jo vetëm për mundësinë, por edhe për vetë temën që ushtarët rusë – të cilët historikisht kanë dhënë zemrën e tyre në çdo kuptim të fjalës, duke dhënë jetën ose duke shprehur dashuri dhe besnikëri ndaj vëllezërve serbë – mund të goditen apo vriten nga armë, municione ose granata serbe”, përfundoi ajo.
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) kishte njoftuar më herët se Beogradi po furnizon Kievin me municion, pavarësisht neutralitetit të shpallur.
Pas kësaj, Vuçiq premtoi se kontratat do të anulohen nëse autoritetet serbe kanë ndonjë dyshim mbi dokumentacionin ose përdoruesin përfundimtar të produkteve.Më 23 qershor ai deklaroi se Serbia e ka pezulluar eksportin e municioneve dhe se për çdo dërgesë jashtë vendit tani kërkohet një vendim i veçantë.
















