Një fotografi e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, ku ai pozon përpara një pikture që paraqet Kremlinin në flakë – e publikuar nga revista Time – ka shkaktuar zemërim në Moskë.
“Kjo ndoshta tregon më së miri nivelin e zhvillimit intelektual dhe gjendjen e brendshme të atyre që pozojnë për fotografi të tilla,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov, për fotografinë që revista amerikane publikoi të hënën, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Time e përshkroi raportin e vet si një vështrim ekskluziv në fazën përfundimtare të luftës në Ukrainë.
Piktura nga viti 2022, e titulluar “Ëndrra”, është vepër e artistit gjeorgjian Sandro Antadze dhe thuhet se është simboli i preferuar i Zelenskit për fitoren në luftën që Rusia e nisi më shumë se tre vite më parë.
Sipas Time, kjo pikturë ndodhet në dhomën prapa zyrës presidenciale dhe ishte e ekspozuar edhe gjatë fjalimit të Zelenskit për Vitin e Ri më 31 dhjetor 2023. Në atë fjalim, ai tha se ata që sjellin ferrin në Ukrainë, një ditë do ta shohin ferrin nga dritarja e tyre.
Në artikullin e Time thuhet se mbi shtratin e Zelenskit ndodhet një pikturë që paraqet një anije ruse që fundoset në Detin e Zi në vitin 2022.
Një tjetër pikturë paraqet trupat ukrainase duke luftuar në tokë ruse.
Duke komentuar mbi këto vepra, Zelenski tha për Time: “Secila prej tyre flet për fitoren… Aty unë jetoj.”