Rumania blen 18 avionë luftarakë F-16 nga Holanda për çmimin simbolik prej 1 euroje + TVSH

Rumania ka nënshkruar zyrtarisht një marrëveshje ndërqeveritare për blerjen e 18 avionëve luftarakë F-16 nga Holanda, njoftoi të hënën, më 3 nëntor, Ministria e Mbrojtjes së këtij vendi.

Avionët ndodhen tashmë në bazën ajrore Fetești dhe janë në përdorim nga Qendra Evropiane e Trajnimit të Pilotëve për F-16 (EFTC). Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ata do të bëhen pronë e shtetit rumun dhe do të përdoren për trajnimin e pilotëve rumunë dhe aleatë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë (MApN), çmimi i përgjithshëm i shitblerjes është simbolik – një euro, pa përfshirë TVSH-në. Megjithatë, Rumania do të paguajë 21 milionë euro në TVSH, të llogaritur mbi vlerën e përgjithshme të paketës së avionëve dhe pajisjeve mbështetëse që arrin në 100 milionë euro.

Marrëveshja u nënshkrua në Bukuresht nga gjeneral brigade Ion-Cornel Pleșa, drejtor i Drejtorisë së Armatimit të Rumanisë, dhe Linda Ruseler nga Ministria e Financave e Holandës, në prani të ministrit të mbrojtjes Liviu-Ionuț Moșteanu dhe ambasadores holandeze Willemijn van Haaften.

Ministri Moșteanu deklaroi se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qendrës së trajnimit, e cila tashmë e pozicionon Rumaninë si një qendër strategjike evropiane për trajnimin e pilotëve F-16. Ai shtoi se në të ardhmen, qendra do të ofrojë trajnime edhe për pilotët nga vendet e tjera të NATO-s që kalojnë në përdorimin e avionëve F-35.

“Vazhdimi i punës së kësaj qendre tregon se Rumania luan një rol strategjik në arkitekturën e mbrojtjes së Aleancës, duke përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe duke kontribuar në forcimin e mbrojtjes kolektive. Në të njëjtën kohë, vendi ynë mbështet Ukrainën përmes trajnimit të pilotëve ukrainas, duke ndihmuar konkretisht në ruajtjen e sigurisë rajonale,” theksoi Moșteanu.

Ambasadorja van Haaften theksoi se Holanda dhe Rumania kanë një partneritet të fortë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Ne jemi aleatë në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunojmë për forcimin e sigurisë në krahun lindor të Aleancës. Të dyja vendet mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj mbështetjes së Ukrainës. Qendra Evropiane e Trajnimit për F-16 është shembulli më i mirë i kësaj bashkëpunimi,” tha diplomatja holandeze gjatë vizitës së saj në bazën Fetești.

Kategoritë
BotaLajme