Rubio informon Kongresin amerikan: USAID zyrtarisht po mbyllet, nga 1 korriku nuk do të ekzistojë më

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka informuar zyrtarisht Kongresin e SHBA-së se disa departamente të USAID-it do të bashkohen me punën e këtij dikasteri amerikan, çka do të thotë se nga data 1 korrik USAID do të pushojë së ekzistuari në mënyrë zyrtare.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit thuhet se Rubio theksoi se ndihma e jashtme është e nevojshme për të avancuar interesat kombëtare amerikane, për të mbrojtur kufijtë dhe për të forcuar partneritetet me aleatët.

Megjithatë, ai është i mendimit se USAID nuk e ka përmbushur këtë qëllim.

“Fatkeqësisht, USAID prej kohësh është larguar nga misioni i tij fillestar. Si rezultat, përfitimet kanë qenë të vogla, ndërsa kostot tepër të larta. Falë presidentit Trump, kjo epokë e gabuar dhe financiarisht e papërgjegjshme ka marrë fund. Ne po i ridrejtojmë programet tona të ndihmës së jashtme që të përputhen drejtpërdrejt me atë që është më e mira për Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët tanë,” deklaroi Rubio.

Është bërë e ditur se deri më 1 korrik do të realizohet një riorganizim që përfshin kalimin e disa funksioneve të USAID-it në Departamentin e Shtetit.

“Ne po vazhdojmë me programet themelore për shpëtimin e jetëve dhe po bëjmë investime strategjike që forcojnë partnerët tanë dhe vendin tonë. Kjo është edhe një premtim i dhënë dhe i përmbushur ndaj popullit amerikan,” përfundoi Marco Rubio.

Kategoritë
BotaLajme