Rubio gjatë turneut në Izrael vizitoi një lokacion kontrovers, Netanyahu i kundërvihet Erdoganit: “Ky është qyteti ynë”

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë vizitës së tij në Izrael, hapi edhe një rrugë të lashtë të zbuluar së fundmi në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, me një ceremoni të organizuar në një ngjarje private që shkaktoi shumë polemika. Në një raport të shkurtër të shpërndarë nga organizata e Parkut Kombëtar “Qyteti i Davidit”, shihet se përveç Netanyahut dhe Rubios, në takim mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee.

“Të qëndrosh sot këtu, në rrugën ku para 2.000 vitesh shumë njerëz nga të gjitha anët guxuan të vinin për t’iu afruar Krijuesit, është një përvojë që sjell përulësi dhe nder,” tha Rubio.

Nga ana tjetër, Netanyahu gjatë këtij eventi u ndal sërish te çështja e rindërtimit të tempullit hebre.

“2.000 vjet pas shkatërrimit të Tempullit të Dytë, ne po rizbulojmë të kaluarën tonë dhe po ndërtojmë të ardhmen tonë – mbi themelet e Jerusalemit të 2.000 viteve më parë. Ky është qyteti ynë, zoti Erdoğan. Ky nuk është qyteti juaj. Ky është qyteti ynë. Gjithmonë do të jetë qyteti ynë. Nuk do të ndahet më kurrë,” tha Netanyahu, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të presidentit turk për Jerusalemin si “qytet turk”.

Ai shtoi gjithashtu se Rubio e kupton se ky është themeli i asaj që Netanyahu e quan “trashëgimia judeo-kristiane”.

“Populli hebre kurrë nuk e ka harruar se kjo është toka e tyre, shtëpia e tyre, kryeqyteti i tyre i pandarë, i padiskutueshëm, autokton, që nga përjetësia,” tha ambasadori amerikan.

Pavarësisht kritikave se ky veprim do të nënkuptonte njohjen amerikane të sovranitetit izraelit mbi një zonë të kontestuar, Rubio hodhi poshtë atë që e përshkroi si “politikë” rreth ngjarjes para vizitës së tij, duke u thënë gazetarëve se Qyteti i Davidit është “një nga lokalitetet më të rëndësishme arkeologjike në botë” dhe “i rëndësishëm” për “shumë fe”.

 

Kategoritë
BotaLajme