Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi ashpër kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për shkak të sulmit izraelit ndaj ekipit negociator të Hamasit në Katar javën e kaluar, duke thënë: “Ideologjikisht, Netanyahu është si kushëriri i Hitlerit.”
“Ashtu si Hitleri nuk mundi ta parashikonte disfatën që e priste, edhe Netanyahu do të përballet me të njëjtin fat përfundimtar,” shtoi ai gjatë kthimit nga Doha, ku mori pjesë në një samit urgjent arabo-islamik pas sulmit ajror izraelit.
Erdogan e quajti sulmin ndaj ekipit negociator të Hamasit “sfidë të hapur ndaj rendit ndërkombëtar dhe së drejtës ndërkombëtare”.
Ai tha gjithashtu se udhëheqja izraelite “ka kthyer mënyrën e saj radikale të të menduarit në asgjë më shumë se një rrjet vrasës të ngritur mbi ideologjinë fashiste”.
Presidenti turk u ndal edhe te çështja e njohjes së Palestinës nga vendet perëndimore, duke thënë se kjo do të ushtronte presion shtesë mbi Izraelin dhe premtoi se do ta rikthejë këtë çështje në Kombet e Bashkuara.
Ai shprehu shpresën se “fronti i njerëzimit do të marrë mbështetje më të gjerë” në Asamblenë e Përgjithshme të ardhshme të OKB-së.















