Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur ambasadorin e Afrikës së Jugut në Uashington, Ebrahim Rasool, persona non grata, që do të thotë se atij i është ndaluar të kryejë misionin e tij diplomatik në këtë vend.
Këtë vendim e bëri të ditur senatori Marco Rubio, duke akuzuar Rasoolin për nxitje të tensioneve racore dhe qëndrime armiqësore ndaj SHBA-së dhe presidentit Donald Trump.
“Ambasadori i Afrikës së Jugut në Shtetet e Bashkuara nuk është më i mirëpritur në vendin tonë të madh. Ebrahim Rasool është një politikan që nxit tensione racore, urren Amerikën dhe urren presidentin. Nuk kemi për çfarë të bisedojmë me të, prandaj ai konsiderohet persona non grata,” deklaroi Rubio.
Ky veprim vjen pas deklaratave të Rasoolit në një seminar të Institutit Mapungubwe për Reflektim Strategjik (MISTRA) në Johanesburg, ku ai e akuzoi presidentin amerikan Donald Trump për udhëheqjen e një lëvizjeje globale të epërsisë së bardhë. Ai gjithashtu deklaroi se politika e jashtme e Trumpit ndaj Afrikës së Jugut, duke përfshirë kundërshtimin e reformave mbi ligjin për eksproprijimin e pronave dhe aleancat e Afrikës së Jugut me Iranin dhe Hamasin, ishte e udhëhequr nga motive raciste.
Rasool më tej pretendoi se slogani “Make America Great Again” ishte një përgjigje ndaj diversitetit të shtuar demografik në Shtetet e Bashkuara dhe se fermerët e Afrikës së Jugut, të cilët kishin kërkuar mbështetje nga administrata amerikane, ishin pjesë e një lëvizjeje globale të epërsisë së bardhë.