Një helikopter ushtarak është rrëzuar në distriktin Yeşilyurt të provincës Malatya në Turqi. Në vendin e ngjarjes janë dërguar ekipe të shumta të zjarrfikësve dhe të emergjencës mjekësore. Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare ka njoftuar se është lokalizuar rrënoja e helikopterit dhe kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit.
Një aksident ajror është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në provincën Malatya të Turqisë, ku një helikopter ushtarak është rrëzuar në lagjen Samanköy të distriktit Yeşilyurt.
Menjëherë pas incidentit, në vendin e ngjarjes janë mobilizuar ekipe të shumta të zjarrfikësve, personelit shëndetësor dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit.
Ministria e Mbrojtjes jep detaje për aksidentin
Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë ka konfirmuar rrëzimin e helikopterit ushtarak të tipit S-70, duke bërë të ditur se shkaqet e aksidentit ende nuk dihen.
“Një helikopter i yni i tipit S-70 është rrëzuar në Malatya për arsye ende të panjohura. Rrënoja e helikopterit është lokalizuar dhe operacionet e kërkim-shpëtimit kanë nisur menjëherë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Autoritetet turke nuk kanë dhënë ende informacione për viktima apo persona të lënduar si pasojë e aksidentit.
