Vendimi i Elbit Systems vjen pas protestave disamujore të aktivistëve të paqes dhe grupeve lokale lidhur me përfshirjen e kompanisë në krimet e luftës në Gaza.
Kompania izraelite e mbrojtjes Elbit Systems ka hequr dorë nga planet për ndërtimin e një objekti prodhimi në qytetin Sangerhausen, në lindje të Gjermanisë, pas protestave disamujore të grupeve lokale dhe aktivistëve të paqes, transmeton Anadolu.
Njësia gjermane e kompanisë i tha gazetës Mitteldeutsche Zeitung se vendndodhja nuk ishte e përshtatshme për nevojat e saj dhe nuk përmbushte kërkesat kryesore operacionale, ndaj nuk do të merrej më në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes së lokacionit.
Banorët, aktivistët e paqes dhe organizatat lokale kishin protestuar për muaj të tërë, duke e akuzuar kompaninë për përfshirje në krime lufte dhe gjenocid ndaj palestinezëve në Rripin e Gazës.
Claudia Wittig, deputete e lartë e partisë së majtë BSW në parlamentin e landit Saksoni-Anhalt, e mirëpriti vendimin.
“Rezistenca funksionon! Së bashku treguam se në tokën tonë nuk do të ketë fitime nga vrasjet në Gaza”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
Wittig e cilësoi tërheqjen e kompanisë si një sinjal për lëvizjet paqësore në Gjermani.
“Ne kemi fuqinë t’i vëmë fre industrisë së armëve. Në Sangerhausen, në Leipzig, në Osnabrück – kudo!”, shtoi ajo.
Elbit Systems Deutschland kishte zhvilluar për muaj të tërë bisedime me autoritetet lokale për ndërtimin e një fabrike në një zonë të planifikuar industriale në Saksoni-Anhalt.
Projekti u përball me kundërshtime të forta nga banorët, aktivistët, pronarët e bizneseve lokale dhe fermerët.
Kritikët kundërshtuan prodhimin e armëve nga një kompani, pajisjet e së cilës përdoren në operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza. Ndërkohë, bizneset dhe fermerët shprehën shqetësime për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe humbjen e tokave bujqësore.