Kryetari i Shoqatës Esnaf, Varis Xhejlani, pas takimit me Drejtorin e Shërbimeve Publike në Prizren, ka njoftuar se punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit në lagjen Bazhdarhane po ecin sipas planit dhe pritet të finalizohen brenda dy javësh, nëse kushtet atmosferike nuk paraqesin pengesa.
Pas një takimi me Drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Çelë Lamaj, Xhejlani konfirmoi se është siguruar pëlqimi nga KEDS, duke i hapur rrugë vazhdimit të punimeve sipas dinamikës së paraparë.
“Ky është një projekt i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë në këtë zonë. Falënderoj Drejtorin Lamaj për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij në këtë proces,” tha Xhejlani në një deklaratë.
Projekti i rrethrrotullimit në lagjen Bazhdarhane është pritur me interes nga banorët dhe bizneset e zonës, të cilët shpresojnë se ai do të ndikojë pozitivisht në qarkullimin dhe sigurinë rrugore./Gazeta e Re