Rreth 600 ish-zyrtarë izraelitë të sigurisë i kanë dërguar një letër presidentit amerikan Donald Trump.

Në letër, Trumpit i bëhet thirrje të ngrejë zërin kundër terrorit të kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor.

“AKTET TERRORISTE TË KOLONËVE HEBRENJ”

Gazeta izraelite Yedioth Ahronot raportoi se rreth 600 ish-zyrtarë të lartë të ushtrisë izraelite, shërbimit të jashtëm të inteligjencës Mossad dhe Ministrisë së Jashtme u kanë dërguar një letër figurave të larta pranë Trumpit, duke kërkuar ndërhyrje urgjente kundër “akteve terroriste të kryera nga kolonët hebrenj”.

“JEPINI NETANYAHUT NJË MESAZH TË QARTË”

Në letrën e përbashkët, të nënshkruar nga ish-zyrtarë të lartë politikë dhe të sigurisë të Izraelit, thuhet:

“Zoti President, askush tjetër përveç jush nuk mund ta parandalojë këtë katastrofë. Shpresojmë sinqerisht që takimin tuaj me kryeministrin tonë ta përdorni për të dhënë një mesazh të prerë dhe të qartë për këtë çështje.”

“TERRORI ËSHTË TERROR”

Në letër i kërkohet Trumpit të ndërhyjë personalisht kundër dhunës së kolonëve izraelitë, të cilët uzurpojnë tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar, dhe të ushtrojë presion mbi Izraelin.

“Terrori është terror”, thuhet në letër.

Gjithashtu theksohet se politikat e qeverisë Netanyahu, të cilat synojnë “ta ngufasin Autoritetin Palestinez ekonomikisht dhe në mënyra të tjera”, do ta dobësojnë sigurinë e Izraelit, do ta destabilizojnë Lindjen e Mesme dhe do t’i pengojnë nismat diplomatike të Trumpit.

THEKSOHEN BEN-GVIR DHE SMOTRICH

Në letër thuhet se nuk është sekret që disa pjesëtarë të qeverisë aktuale izraelite po e “menaxhojnë këtë kaos”.

Veçanërisht përmenden ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, të cilët akuzohen se u ofrojnë mbrojtje kolonëve izraelitë që uzurpojnë tokat palestineze dhe se pengojnë vendosjen e sanksioneve domethënëse ndaj tyre.

TRUMP DHE NETANYAHU TAKOHEN NESËR

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohen të martën, më 28 korrik, në Washington.

Ditët e fundit në Bregun Perëndimor të pushtuar është shënuar një rritje e ndjeshme e shkatërrimeve, rrethimeve, sulmeve dhe zjarrvënieve ndaj shtëpive dhe pronave, si dhe e aktiviteteve për ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme, të kryera nga ushtria izraelite dhe kolonët izraelitë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte dhënë udhëzime për përshpejtimin e procesit të njohjes së vendbanimeve të paligjshme hebraike të ngritura në tokat palestineze dhe për ndërtimin e vendbanimeve të reja.

Kategoritë
BotaLajme