Legjenda e futbollit Cristiano Ronaldo (40) vazhdon të mahnitë tifozët në Arabinë Saudite, ku edhe në moshën 40-vjeçare vazhdon të shënojë gola për klubin Al Nassr.
Në një intervistë me gazetarin britanik Piers Morgan, ylli portugez pranoi se po i afrohet fundit të karrierës së tij të lavdishme.
“Po, mund ta imagjinoj pensionimin. Do të ndodhë së shpejti. Do të jetë e vështirë, me siguri do të qaj, por do të jem gati. Çdo gjë ka një fund, dhe pastaj do të kem më shumë kohë për gjëra të tjera,” tha Ronaldo.
Fituesi pesë herë i Topit të Artë, i cili deri tani ka 952 gola profesionale, tha se po mendon për jetën pas futbollit që në moshën 25-vjeçare.
“Që atëherë kam menduar për këtë. Dua të jem më shumë familjar, më i pranishëm për fëmijët dhe miqtë. Më pëlqen UFC-ja, më pëlqen padeli. Pas të 40-ave, njeriu vërtet fillon të jetojë.”
Ronaldo konfirmoi se është bërë miliarder, duke e krahasuar atë ndjenjë me fitimin e një trofeu të madh.
“U mahnita kur u bëra miliarder. Ishte një qëllim për mua, si të fitoja Topin e Artë. Ndoshta disa do të më quajnë arrogant, por shifrat nuk gënjejnë. Jam i vetmi futbollist që e kam arritur këtë.”
Ai tregoi gjithashtu se blerja më e shtrenjtë që ka bërë është një avion privat, ndërsa makinat luksoze nuk e tërheqin më.
“Kur isha i ri, isha i çmendur pas makinave. Tani kam mbi 40, por i përdor rrallë. Avionin nuk e bleva për t’u mburrur, por sepse më nevojitet për stilin e jetës që bëj.”
Ronaldo, i cili në qershor zgjati kontratën me Al Nassr deri në vitin 2027, planifikon të luajë me përfaqësuesen e Portugalisë në Kupën e Botës 2026, që do të jetë e gjashta në karrierën e tij.
“Nuk më intereson më çfarë mendojnë njerëzit. Kam 40 vjeç, pesë fëmijë, miq të mrekullueshëm dhe ende shumë pasione. Kur të tërhiqem, do të jem mirënjohës për gjithçka që më ka dhënë futbolli,” përfundoi Cristiano Ronaldo.


















