Cristiano Ronaldo dhe e fejuara e tij Georgina Rodriguez do të martohen verën e ardhshme në një ceremoni të krishterë në Madeira, ishulli i tij i lindjes, transmeton Jornal da Madeira.
Ceremonia pritet të mbahet në katedralen e Funchal-it, ndërsa pritja e dasmës do të organizohet në një hotel luksoz.
Pas nëntë vitesh lidhje
Vendndodhja është simbolike, pasi katedralja ndodhet vetëm 2.4 kilometra larg spitalit ku ka lindur Ronaldo dhe tre kilometra nga baza e klubit Nacional da Madeira, ku ai filloi karrierën e tij.
Ronaldo (40) dhe Georgina së fundmi kanë zbuluar se janë fejuar pas më shumë se nëntë vitesh lidhje. Ylli portugez, në një intervistë me Piers Morgan, zbuloi se propozimi ka qenë plotësisht spontan.
Ronaldo ka pesë fëmijë: Alana Martina dhe Bella Esmeralda me Georginën; Cristianon Junior, i lindur në vitin 2010; dhe binjakët Eva dhe Mateo, të lindur përmes surogacisë shtatë vjet më vonë.
Çifti u përball me tragjedi në vitin 2022
Ata u përballën me një tragjedi në vitin 2022, kur djali i tyre i porsalindur, Angel, ndërroi jetë, ndërsa motra e tij binjake Bella mbijetoi.
Ronaldo thekson se kjo periudhë e dhimbshme i ka afruar edhe më shumë dhe ka zbuluar se planifikojnë dasmën pas Kampionatit Botëror 2026, i cili do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Plotësisht e paplanifikuar
Ronaldo pranoi se mënyra se si e propozoi Georginën ishte e papritur: “Nuk jam romantik, fëmijët luajtën një rol kyç”.
“Plani është të martohemi pas Botërorit, nëse të jetë e mundur, me kupën në dorë. Por Georgina nuk i pëlqen festat e mëdha, i pëlqen privatësia, dhe unë e respektoj këtë”, shtoi portugezi.
Ronaldo gjithashtu tha se i pëlqeu fakti që Georgina nuk u interesua aspak për vlerën e unazës, e cila vlerësohet në 1.7 milionë euro.
“Ajo më pyeti vetëm nëse isha i sinqertë. Unë e dua atë dhe dua të martohem me të”, përfundoi ai.










