Rohde takohet me Osmanin pas paralajmërimit se moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses e bllokon anëtarësimin e Kosovës në KiE

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot në një takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde.

Osmani dhe Rohde biseduan edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, një javë pasi ambasadori gjerman shprehu shqetësimin se ndikimi dhe presioni politik në Gjykatën Kushtetuese nuk e hap rrugën drejt anëtarësimit atje, raporton Gazeta Express.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde biseduan për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e veçantë që ky proces të përmbyllet me sukses”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani dhe Rohde folën edhe “për një sërë nismash e projektesh të interesit të përbashkët”. Osmani “foli edhe për edicionin e dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si një platformë për ta avancuar bashkëpunimin bilateral në drejtim të përmbushjes së kësaj agjende”, njoftoi Presidenca.

Rohde para një jave e ndau shqetësimin e ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog për pavarësinë dhe ndikimin e presionin politik të pushtetit mbi Gjykatën Kushtetuese.

“Ndani edhe këtu shqetësimin e kolegut tim europian. Sundimi i ligjit “à la carte” nuk e hap as rrugën drejt Këshillit të Europës e as drejt Bashkimit Evropian”, shkroi Rohde.

Szunyog kishte kërkuar që “vendimet e Gjykatës Kushtetuese të respektohen dhe zbatohen plotësisht, përfshirë edhe aktgjykimin e datës 19 maj 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit”.

Kategoritë
LajmeVendi