Rita Ora uron Shqipërinë në Ditën e Pavarësisë

Ylli botëror, Rita Ora ka uruar Shqipërinë në Ditën e saj të Pavarësisë.

Përmes një postimi në Instagram, Ora ka bashkëngjitur në urim edhe disa fotografi nga ndeja e mbrëmshme që u organizua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ku artistja ishte e pranishme me bashkëshortin e saj, regjisorin e aktorin Taika Waititi dhe producenten Odessa Rae si dhe e shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorë të tjerë.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë Shqipëri nga familja jonë tek ju”, ka shkruar Ora.

Ndeja e së hënës ishte organizuar në një restorant në periferi të kryeqytetit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Rita Ora është ajo që e ka promovuar gjithmonë Kosovën.

“Në prag të 28 Nëntorit, festuam së bashku me të, familjen e saj dhe njerëzit që asaj i qëndrojnë gjithnjë afër në sukseset e saj”, ka thënë ajo. Më pas ka treguar edhe për planet në të ardhmen. Diskutuam mbi të gjitha për projekte që do të jenë në të mirë të Kosovës, mbi të gjitha në të mirë të rinisë së Kosovës në të ardhmen dhe shpresojmë shumë që këto punë të përbashkëta të cilat do t’i bëjmë tash e tutje, frytet e tyre do t’i shohin të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi