Sa i përket ballafaqimit të armatosur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, komandanti i KFOR-it, Ristuccia, tha situata nga KFOR-i ishte menaxhuar në mënyrën e duhur dhe se “ky mision i mori të gjitha masat për parandalimin e eskalimit të situatës”
Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, theksoi se gjatë mandatit të tij ka pasur vështirës të ndryshme të sigurisë për këtë mision në territorin e Kosovës.
Nëpërmjet një konference për media në prag të përfundimit të mandatit të tij, Ristuccia tha se çështja e targave, largimi i serbëve nga institucionet, zgjedhjet komunale në veri, sulmet e paarsyeshme ndaj personelit të KFOR-it, sulmi i 24 shtatorit e disa të tjera, kanë bërë që KFOR-i ta rrisë prezencën në veri.
“Mbretëria e Bashkuar është duke dislokuar trupa shtesë dhe trupat shtesë do të vazhdojnë të vijnë edhe nga aleatë të tjerë, përfshirë edhe Rumaninë. Këto janë hapa të qartë për të siguruar se KFOR-i ka forcë, aftësi dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të plotësuar mandatin e OKB-së për të mirëmbajtur një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë”, theksoi Ristuccia.
Sa i përket ballafaqimit të armatosur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, komandanti i KFOR-it, Ristuccia, tha situata nga KFOR-i ishte menagjuar në mënyrën e duhur dhe se “ky mision i mori të gjitha masat për parandalimin e eskalimit të situatës”.
Ai tha se për rastin e 24 shtatorit punuan me të gjitha palët, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
“KFOR-i nuk ka qenë asnjëherë vonë në intervenime këtu. Ne planifikojmë dhe veprojmë në mënyrë të duhur në pajtim me mandatin tonë. Pra, ne kemi koncept tjetër të qenit në kohë ose me vonesë sepse intervenimi ynë matet profesionalisht derisa ju keni pikëvështrimin tuaj si gazetarë”, theksoi Ristuccia duke u përgjigjur gazetarëve në pyetjet se nëse ka pasur vonesë në reagimin e KFOR-it më 24 shtator në veri.
Ristuccia sa i përket armëve të konfiskuara nga Policia e Kosovës të grupit të armatosur rëndë që sulmoi Policinë më 24 shtator, tha se është ende shumë herët të thuhet se “si janë futur këto armë në Kosovë”.
Më 10 tetor Türkiye merr komandën e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).
KFOR-i është misioni më i madh dhe më jetëgjatë i udhëhequr nga NATO-ja me më shumë se 4 mijë trupa nga 27 vende (21 NATO dhe 6 Partnerë) të dislokuar në Kosovë.













