Të martën në mbrëmje, pranë selisë së kompanisë Saudi Aramco në Dhahran, u dëgjuan shpërthime të fuqishme, pas të cilave u dha urdhër për evakuimin e ndërtesës.
Një burim i njohur drejtpërdrejt me situatën i tha Reuters se selia e Aramcos ishte goditur, por se nuk ishte e qartë nëse ndërtesa ishte goditur drejtpërdrejt apo nëse mbi të kishin rënë mbetje të raketës.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se pjesë të një rakete, e cila ishte interceptuar dhe shkatërruar mbi Dhahran, ranë në një zonë banimi, pa dhënë detaje të tjera. Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Maliki, deklaroi gjithashtu se një raketë ishte lëshuar në drejtim të Dammamit dhe se shërbimet përkatëse kishin dalë në terren.
Punonjësve të Aramcos iu kërkua që të mërkurën të punojnë nga shtëpia.
Më vonë, Mbrojtja Civile saudite lëshoi paralajmërim për një rrezik të mundshëm në kryeqytetin Riad, pas të cilit edhe atje u dëgjua një shpërthim i fuqishëm.
Sulmet ndaj Arabisë Saudite po vazhdojnë prej ditësh
Sulmit i paraprinë kërcënime të drejtpërdrejta nga Huthët. Ata kishin paralajmëruar më herët të martën se, nëse Arabia Saudite sulmon Sananë, do të godasin objektet e Aramcos dhe Aeroportin Ndërkombëtar King Khalid në Riad. Punonjësit e instalimeve të naftës dhe aeroporteve u paralajmëruan të qëndrojnë larg, pasi Huthët i konsiderojnë ato objektiva legjitime.
Sulmi i mbrëmshëm është vetëm vazhdimi i një serie sulmesh që kanë nisur që në fillim të muajit. Huthët e kanë shpallur hapësirën ajrore saudite zonë operacionesh ushtarake, pasi qeveria e Jemenit, e mbështetur nga Riadi, nisi në fillim të këtij muaji një ofensivë kundër tyre.
Më 6 tetor u goditën aeroportet në Jazan dhe Najran, ndërsa aeroporti i Riadit u sulmua katër herë brenda vetëm pesë ditësh. Në sulmin e 7 tetorit humbi jetën një person, ndërsa një ditë më vonë u vranë një pilot dhe dy shtetas sauditë.
Sulmi më i rëndë ndodhi të shtunën. Sipas autoriteteve saudite, në sulmin ndaj terminalit të pasagjerëve në aeroportin e Riadit humbën jetën të paktën 12 persona dhe u plagosën më shumë se 300.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur një top zjarri godet terminalin ku pasagjerët, kryesisht pelegrinë që po udhëtonin drejt Mekës, prisnin në radhë.
Vetëm një ditë më vonë, një tjetër predhë goditi përsëri të njëjtin aeroport. Në atë sulm humbi jetën një shtetas pakistanez, ndërsa 11 persona u plagosën.
Arabia Saudite po paguan çmimin e luftës amerikane me Iranin
Washington Post shkruan se sulmet e Huthëve e kanë vendosur Arabinë Saudite përballë një dileme: të përpiqet t’i mposhtë ushtarakisht Huthët apo të kërkojë rrugëdalje përmes negociatave.
Interesat saudite, ndërkohë, po largohen gjithnjë e më shumë nga lufta amerikane kundër Iranit, veçanërisht pasi për aq kohë sa vazhdon kjo luftë, kërcënimi nga Huthët nuk do të zhduket, ndërsa Donald Trump nuk dëshiron të ndihmojë me aviacionin amerikan.
Presidenti amerikan po përballet me çmime të larta të karburanteve para zgjedhjeve të nëntorit dhe me rezerva të reduktuara të municioneve. Ai ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e përfshirjes në sulme, por njëkohësisht ka thënë se SHBA-ja vazhdon të “komunikojë” me Huthët.
Është raportuar gjithashtu se Trump ishte shumë pranë dhënies së urdhrit për një sulm ndaj Huthëve, por u tërhoq në momentin e fundit.
Këto sulme përbëjnë gjithashtu një goditje të rëndë për imazhin e Arabisë Saudite, në një kohë kur Riadi prej javësh po promovon konferenca investimesh me emra të mëdhenj si Jamie Dimon dhe Larry Fink.
Sulmi ndaj aeroportit, i cili vitin e kaluar përballoi rreth 40 milionë pasagjerë, dëmton drejtpërdrejt imazhin e një destinacioni të qëndrueshëm dhe të sigurt për investime, të cilin po përpiqet ta ndërtojë Mohammed bin Salman.
Përfundimi kryesor i analizës së Washington Post është se Arabia Saudite nuk është objektivi kryesor në vetvete, por një viktimë kolaterale e luftës që Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë kundër Iranit.
Huthët janë aleatë të Iranit dhe, për sa kohë vazhdon lufta amerikane, sulmet e tyre ndaj Mbretërisë Saudite pritet të vazhdojnë.
Ironia qëndron në faktin se Uashingtoni, për shkak të luftës së të cilit Riadi po pëson pasoja, nuk dëshiron ta ndihmojë atë me aviacionin amerikan. Kështu, Arabisë Saudite i mbetet ose të luftojë vetë, ose të negociojë me Huthët.
