Rezultatet e dy analistëve që iu bashkuan PDK-së, njëri pritet të mbetet jashtë Kuvendit

Në mesin e 19 deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët bazuar në rezultatet momentale të kandidatëve do të sigurojnë ulëse në kuvend, pritet të jetë edhe Ardian Kastrati, profesori universitar.

Kastrati, i cili u bë i njohur më shumë prej rolit të opinionistit politik dhe shfaqjeve të tij të shpeshta në televizionin publik të Kosovës, iu bashkua PDK-së disa javë para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Bashkë me Kastratin, në PDK aderoi edhe Faton Abdullahu, një tjetër analist i zhvillimeve politike.

Mirëpo, sipas rezultatit momental të kandidatëve nga lista e Partisë Demokratike, vetëm Ardian Kastrati pritet të sigurojë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai ndodhet në mesin e 19 kandidatëve më të votuar të listës së PDK-së.

Në këtë listë nuk ndodhet emri i Faton Abdullahut. Nëse nuk ndryshon trendi nga numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë, Abdullahu parashihet të mbetet jashtë kuvendit.

Dy analistët ishin vendosur njëri pas tjetrit në listën e kandidatëve për deputetë të PDK-së. Abdullahu mbante numrin 30 në listë, ndërkaq Kastrati numrin 31.

Kategoritë
LajmeVendi