Avokati Arbër Jashari tha se deklarimi dhe premtimi i kandidatit ferizajas është një kauzë e gabuar e cila nuk përkon me politikat dhe as me kompetencat që ka një kryetar komune
andidati i pavarur për Kuvendin Komunal të Ferizajt, Bashkim Fazliu ka ngjallur reagimin qytetar dhe të njohësve të të drejtave të njeriut, meqë si premtim kryesor në rast të fitores, ai ka thënë se do ta bëjë të ndaluar përdorimin e veshjes fetare islame e njohur si burka, raporton Anadolu.
Fazliu madje përpos fjalës burka, ka krahasuar gratë që përdorin burka me “ninxhat” (karaktere kinematografike), duke thënë se fitorja e tij do ta bëjë qytetin e Ferizajt “pa ninxha”.
Për deklaratat dhe premtimin e tij kanë shprehur indinjatë qytetarët që jetojnë në Komunën e Ferizajt.
Një pjesë e madhe e tyre të cilët kanë ngurruar të flasin para kamerës, kanë thënë se ky deklarim nuk është në përputhje me realitetin e problemeve të kësaj komune, e cila ka probleme serioze dhe burka nuk është pengesë reale por një e drejtë e individit.
– “Burka nuk është problemi real i komunës tonë”
Rufki Haliti i cili jeton në një fshat të Komunës së Ferizajt, tha se kryetari duhet të fokusohet tek zhvillimi i qytetit, sidomos në aspektin ekonomik.
Ai thotë se shumë bashkëvendës nga fshati i tij e kanë lëshuar Kosovën duke migruar në vendet evropiane, si pasojë e mungesës së perspektivës dhe sipas tij, të paraqitet heqja e burkës si premtim, nuk është e drejtë.
“Ky është një problem i vogël. Bartjen e saj askush s’mund ta ndalojë as urdhërojë. Problem real i qytetarëve është punësimi, sepse nuk ka fabrika, nuk ka vende pune, njerëzit kanë migruar, është bërë krizë. Unë jetoj vetë i pesti anëtar me 140 euro edhe pse kam punuar 36 vjet”, tha Haliti për Anadolu.
Edhe Shukri Ademi që jeton në Ferizaj, thotë se kandidati për kryetar të Ferizajt, nuk mund ta ndalojë bartjen ose jo të një veshjeje fetare.
Ai thotë se problemet ditore të këtij qyteti janë të ndryshme, duke u nisur nga problemet me ujë, energji elektrike e deri tek komunikacioni dhe ndërtesat e larta.
“Ai nuk mund t’i ndalojë këto gjëra. Secili e ka drejtimin e tij. Feja Islame ka elementet e saj, feja ortodokse ka elemente të saj po ashtu. Ju nuk e di a e keni parë që në Ferizaj më shumë ka automjete se sa njerëz, pastaj qyteti është bërë monoton edhe me ndërtesa të mëdha me nga 10-15 kate”, tha Ademi.
– Jashari: Kushtetuta e Kosovës përcakton në kapitullin për të drejtat dhe liritë e njeriut që çdokush ka të drejtë ta ushtrojë besimin fetar dhe kjo përfshinë edhe mënyrën e veshjes
Avokati Arbër Jashari thotë se deklarimi dhe premtimi i kandidatit ferizajas është një kauzë e gabuar e cila nuk përkon me politikat dhe as me kompetencat që ka një kryetar komune.
“Kjo është mbase një gjetje e tij për t’u dukur atraktiv dhe interesant dhe për të fituar vëmendje në kohë fushate. Por, unë mendoj që kjo është diçka tërësisht e gabuar, duke u nisur se Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton në kapitullin për të drejtat dhe liritë e njeriut që çdokush ka të drejtë ta ushtrojë besimin fetar dhe kjo përfshinë edhe mënyrën e veshjes dhe sjelljes në shoqëri të caktuar”, thekson Jashari.
Sipas tij, kjo çështje nuk i përket nivelit lokal, por, rregullohet përmes ligjit në nivel qendror.
“Ferizaji është një qytet i Republikës së Kosovës. Kosova ka sistem unik, pra, nuk është sistem federal ose konfederal ku një komunë ose kanton mund të udhëheqë politika të këtij niveli apo hartojë legjislacion të caktuar për t’i mohuar një të drejtë apo njohur një të drejtë dikujt, sepse këto gjëra rregullohen me ligj dhe duhet të kalojnë përmes Parlamentit të Kosovës”, theksoi Jashari.
Megjithëse, bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë, Kosova ka një popullsi prej mbi 93 për qind muslimanë, një numër fare i vogël i këtij komuniteti bartin veshje fetare islame, apo shami, e edhe më i vogël është numri i atyre që bartin burka.
Shumë shpesh në Kosovë është bërë temë kryesore e diskutimit edhe bartja e shamisë në institucione publike shkollore, aty ku ende është e ndaluar bartja e shamisë me një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.