Planet amerikane për aneksimin e Grenlandës janë serioze dhe nuk bëhet fjalë thjesht për një tekë të administratës aktuale të Donald Trumpit, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin.
Kreu i Kremlinit, të enjten në Forumin Ndërkombëtar Arktik në qytetin rus Murmansk, bëri thirrje për forcimin e pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin arktik.
“Të gjithë janë mirë të informuar për planet amerikane për aneksimin e Grenlandës. Kjo mund të habisë dikë vetëm në pamje të parë. Është një gabim i madh të mendosh se bëhet fjalë për ndonjë deklaratë ekstravagante të administratës së re amerikane. Nuk është aspak ashtu”, deklaroi Putin, duke i quajtur planet amerikane për Grenlandën si “serioze”.
“Këto plane kanë rrënjë të thella historike dhe është e qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë në mënyrë sistematike të ndjekin interesat e tyre gjeopolitike, ushtarako-politike dhe ekonomike në Arktik. Sa i përket Grenlandës, ky është një problem që i përket dy shteteve konkrete dhe nuk ka të bëjë fare me ne”, tha presidenti rus, duke aluduar në Danimarkën, e cila është shteti mëmë i ishullit më të madh në botë.
“Ne, natyrisht, jemi të shqetësuar vetëm për faktin që vendet e NATO-s po e shohin gjithnjë e më shumë këtë rajon verior si një trampolinë për konflikte të mundshme dhe po planifikojnë përdorimin e forcave të tyre në ato kushte”, shtoi Putin, i cili në këtë kontekst përmendi konkretisht Finlandën dhe Suedinë, me të cilat, sipas tij, Moska më parë nuk ka pasur probleme.
Të dy këto vende nordike, megjithatë, iu bashkuan NATO-s si përgjigje ndaj pushtimit të gjerë rus të Ukrainës, i cili ka vazhduar për më shumë se tre vjet, gjatë së cilës Moska ka shpallur një pjesë të territorit ukrainas si të vetin.
Më shumë ushtarë rusë në Arktik
Sipas Putinit, Rusia nuk i kërcënon askënd në Arktik, por po “ndërton një vijë reagimi”. Ai bëri thirrje për rinovim më intensiv të vendbanimeve ushtarake për ushtarët dhe familjet e tyre në rajonin arktik, për çka nga buxheti federal rus do të ndahen së paku dhjetë miliardë rubla. “Dua të theksoj se kjo, natyrisht, lidhet me forcimin e komponentës sonë ushtarake në këtë rajon. Numri i personelit ushtarak këtu do të rritet”, tha presidenti rus.
Njëkohësisht, ai foli edhe për planet për vënien në përdorim të gjeneratës së re të anijeve akullthyese bërthamore dhe për përdorimin e ardhshëm të “rrugës detare veriore”, e cila do të lidhë qytetet ruse Shën Petersburg, Murmansk dhe Vladivostok.
Putin mbajti fjalimin në Murmansk një ditë para vizitës së nënpresidentit amerikan J. D. Vance në bazën ushtarake amerikane në Grenlandë. Vizita e planifikuar fillimisht si trefatëshe u shkurtua pasi autoritetet daneze dhe ato grenlandeze bënë të qartë se Vance nuk ishte i mirëpritur në Grenlandë.
Donald Trump dhe zyrtarë të administratës së tij kanë folur disa herë për planet për bashkimin e këtij territori autonom danez me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se SHBA “në një mënyrë apo tjetër” do ta marrë ishullin, sepse i duhet.