Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar që Ukraina të vihet nën një formë administrimi të përkohshëm, në mënyrë që të mundësohen zgjedhje të reja dhe nënshkrimi i marrëveshjeve kyçe për të arritur një zgjidhje për përfundimin e luftës, raportojnë mediat ruse.
Komentet e Putinit, gjatë një vizite në portin verior të Murmanskut, vijnë në mes të përpjekjeve të SHBA-së për të gjetur një zgjidhje të konfliktit përmes rivendosjes së kontakteve me Rusinë dhe angazhimit me të dyja palët – Moskën dhe Kievin – në negociata të ndara.
Ukraina dhe liderët evropianë e kanë akuzuar presidentin rus se po përpiqet të zgjasë negociatat për armëpushim pa ndonjë qëllim serioz për t’i dhënë fund luftimeve.
Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar qindra mijëra të vrarë dhe të plagosur, ka zhvendosur miliona njerëz, ka shndërruar qytete në rrënoja dhe ka shkaktuar përplasjen më të ashpër mes Moskës dhe Perëndimit.
Propozimi i Putinit për një administratë të përkohshme duket se lidhet me pretendimin e tij të hershëm se autoritetet ukrainase nuk janë një partner legjitim për negociata, pasi presidenti Volodymyr Zelensky vazhdoi të qëndrojë në pushtet pas përfundimit të mandatit të tij në maj 2024.
“Në parim, sigurisht që në Ukrainë mund të vendoset një administratë e përkohshme nën mbikëqyrjen e OKB-së, Shteteve të Bashkuara, vendeve evropiane dhe partnerëve tanë”, tha Putin.
“Duhet të mbahen zgjedhje demokratike dhe të vihet në pushtet një qeveri e aftë që gëzon besimin e popullit, dhe pastaj mund të fillojnë bisedimet me ta për një marrëveshje paqeje,” përfundoi presidenti rus.
Ai shtoi se përpjekjet e Trump-it për të rifilluar bisedimet direkte me Rusinë – ndryshe nga paraardhësi i tij Joe Biden që shmangu kontaktet – tregojnë se presidenti i ri dëshiron paqe.