Mosmarrëveshja lidhet me planin e ri-strukturimit FCDO2030, i cili sipas sindikatës, mund të zvogëlojë numrin e punonjësve të departamentit me 15 deri në 25 për qind
Punonjësit e Zyrës për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) kanë vazhduar grevën kundër planeve për shkurtimin e deri në 2.000 vendeve të punës, transmeton Anadolu.
Anëtarët e Sindikatës së Shërbimeve Publike dhe Tregtare (PCS) po marrin pjesë në grevën e parë të punonjësve të këtij departamenti që nga viti 2011.
Sipas sindikatës, greva do të vazhdojë gjatë gjithë javës, ndërsa ditë të tjera grevash janë planifikuar për 12 dhe 26 gusht të vitit 2026.
Mosmarrëveshja lidhet me planin e ri-strukturimit FCDO2030, i cili sipas sindikatës, mund të zvogëlojë numrin e punonjësve të departamentit me 15 deri në 25 për qind.
Sindikata paralajmëroi se humbja e stafit me përvojë mund të dobësojë aftësinë e Mbretërisë së Bashkuar për t’iu përgjigjur sfidave ndërkombëtare, përfshirë krizën e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.
Ajo i bëri thirrje ministrit të jashtëm, Ed Miliband, të ndërhyjë për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Sindikata kërkoi që qeveria të garantojë se nuk do të ketë pushime të detyrueshme nga puna dhe të zhvillojë diskutime të mëtejshme me punonjësit.
“Greva është gjithmonë zgjidhja e fundit, por drejtuesit e FCDO-së i kanë lënë anëtarët tanë pa zgjidhje tjetër”, tha sekretarja e përgjithshme e sindikatës, Fran Heathcote, në një deklaratë.
“Është e papranueshme që një departament qeveritar po ecën përpara me një ri-strukturim të madh”, tha Heathcote.
Sindikata tha se punonjësit nuk kanë marrë garanci se nuk do të detyrohen të largohen nga vendet e tyre të punës.
“Anëtarët tanë meritojnë transparencë, drejtësi dhe respekt”, tha Heathcote, duke shtuar se në vend të kësaj ata janë përballur me “pasiguri dhe refuzim për të ofruar informacionin e nevojshëm për të shqyrtuar siç duhet këto plane”.
Sindikata tha se departamenti mund t’i japë fund mosmarrëveshjes duke përjashtuar pushimet e detyrueshme nga puna dhe duke u angazhuar në dialog me punonjësit.









