Një punëtor rumun ka ndërruar jetë në spital, pak pasi ekipet e shpëtimit arritën ta nxjerrin nga rrënojat e një kulle mesjetare në Romë që u shemb pjesërisht të dielën paradite.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:20 në kullën Torre dei Conti, një ndërtesë historike pranë Koloseut, e cila ishte në proces restaurimi. Punëtori, Octay Stroici, kishte mbetur i bllokuar për disa orë nën rrënoja.
Lajmin për vdekjen e tij e konfirmoi kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila në një deklaratë shkroi: “Shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e mia, në emër tim dhe të qeverisë, për humbjen tragjike të Octay Stroicit, punëtorit që humbi jetën gjatë shembjes së Torre dei Contit në Romë. Jemi pranë familjes dhe kolegëve të tij në këtë moment të dhimbshëm.”
Dy pjesë të kullës 29 metra të lartë Torre dei Conti u shembën njëra pas tjetrës, e para rreth orës 10:30 dhe e dyta rreth 90 minuta më vonë.
Operacioni i shpëtimit zgjati me orë të tëra, pasi çdo përpjekje për ta liruar trupin e punëtorit shkaktonte shembje të reja, të cilat e mbulonin sërish me rrënoja.
Autoritetet njoftuan se Stroici ishte i vetëdijshëm gjatë pjesës më të madhe të operacionit, por u transportua në spital në gjendje kritike dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes.
Një tjetër punëtor rumun u shpëtua pothuajse menjëherë dhe u dërgua në spital me lëndime të rënda në kokë, por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy punëtorë të tjerë pësuan lëndime të lehta dhe refuzuan trajtimin spitalor.













