Publikohen të gjitha detajet e bisedës së bashkëpunëtorëve të Trumpit për sulmin ndaj Jemenit: Skandali po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha

Kryeredaktori i revistës The Atlantic, Jeffrey Goldberg, ka publikuar mesazhe të reja nga një bisedë e përbashkët midis zyrtarëve amerikanë, në të cilat shfaqen edhe plane të detajuara për sulmin ndaj Jemenit.

Megjithëse zyrtarët amerikanë, të kryesuar nga ministri i mbrojtjes Pete Hegseth, janë justifikuar se në bisedën në aplikacionin Signal – ku pa verifikim ndodhej edhe kryeredaktori i Atlantikut – nuk kishte plane ushtarake, Goldberg ka publikuar mesazhe të reja që dëshmojnë të kundërtën.

Derisa deri më 15 mars diskutimi në atë grup ishte përshkrim i përgjithshëm i një sulmi të mundshëm, nga data 15 mars diskutimi kaloi edhe në çështje operacionale.

Në orën 11:44 sipas kohës lindore, Hegseth ka publikuar një përditësim në të cilin shkruan se CENTCOM – komanda qendrore e ushtrisë amerikane – po fillon misionin.

“Nisja e F-18 (avionëve). Paketa e parë sulmuese. Terroristët ndodhen në një lokacion të njohur, prandaj sulmi duhet të ndodhë me kohë. Gjithashtu janë lëshuar dronët MQ-9,” thuhet në mesazhin e publikuar nga Atlantic.

Pra, ministri amerikan ka ndarë në grupin ku ndodhej edhe redaktori i Atlantikut kohën e saktë kur do të ndodhte sulmi.

“Nëse këtë mesazh do ta merrte dikush i armiqësuar me interesat amerikane – ose thjesht një person i pakujdesshëm me qasje në rrjetet sociale – Huthët do të kishin pasur kohë të përgatiteshin për atë që duhej të ishte një sulm i papritur mbi bazat e tyre. Pasojat për pilotët amerikanë mund të ishin katastrofike,” shkruan Goldberg.

Kërkohet përgjegjësi

Disa nga zyrtarët më të lartë amerikanë fajësojnë ministrin e mbrojtjes për komunikimet përmes Signal-it rreth sulmit ndaj Huthëve.

Më tej janë publikuar edhe oraret e sulmeve të mëvonshme.

“Në orën 14:15 do të bien bombat e para. Në 15:36 nis sulmi i dytë i F-18. Raketat e para Tomahawk do të lëshohen gjithashtu,” thuhet më tej.

Këshilltari për siguri kombëtare Mike Waltz ka dërguar një tjetër mesazh, që përmbante të dhëna inteligjente në kohë reale për kushtet në vendin e sulmit – dukshëm në Sana, kryeqyteti i Jemenit.

“Ndërtesa u shemb. Pete, punë e shkëlqyer. Kemi disa identifikime pozitive,” shkruhet në mesazhet.

Përmendja e “identifikimeve të shumta pozitive” sugjeron se shërbimet inteligjente amerikane kanë konfirmuar identitetin e objektivave mes Huthëve, duke përdorur burime njerëzore ose teknike.

Kategoritë
BotaLajme