Tre ditë para protestës së paralajmëruar në Strasburg, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, organizator i OVL-UÇK-së në diasporë, Fatmir Koci, ka deklaruar se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se mobilizimi është i plotë.
“Organizimi po shkon mirë, jemi tri ditë para protestës dhe jemi kah fundi i organizimit”, tha Koci, duke theksuar se protesta ka për qëllim kërkesën për lirimin e shpejtë të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai u shpreh optimist se në pranverë mund të ketë zhvillime pozitive, duke përmendur dëshminë e paralajmëruar të ish-komandantit të forcave të NATO-s, gjeneral Wesley Clark, e cila pritet të jepet më 17 nëntor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Andaj presim lirimin e shpejt të krerve të UÇK. Në pranverë sepse me datën 19 fillon dëshminë gjenerali i NATO-s”, tha ai.
Sipas Kocit, dëshmia e gjeneralit Clark do të tregojë qartë se UÇK-ja dhe NATO ishin aleatë, dhe se UÇK-ja nuk ka kryer krime, por ka luftuar për liri.
Ai theksoi se gjatë luftës, agresori dhe krimineli ishte Serbia, e cila, sipas tij, kreu krime ndaj civilëve.
Sa i përket qëndrimit të institucioneve të Kosovës ndaj protestës, Koci shprehu pakënaqësi, duke pretenduar se nuk kanë marrë përkrahje nga qeveria.
Megjithatë, Koci theksoi se pavarësisht këtyre pengesave, organizimi do të vazhdojë.


















