Prokurori i Posaçëm Hur dëshmon në Kongres mbi hetimet ndaj Presidentit Biden për dokumentet sekrete

Prokurori i Posaçëm, Robert Hur do të dëshmojë sot para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve, mbi raportin e tij në kuadër të hetimeve për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete nga Presidenti Joe Biden.

Zoti Hur, një ish-prokuror në Merilend gjatë administratës së presidentit republikan Donald Trump, drejtoi një hetim 15-mujor mbi dokumentet sekrete që iu gjetën Presidentit Biden në shtëpinë e tij.

Në muajin shkurt Prokurori Hur publikoi një raport ku tha se ka vendosur të mos ngrejë akuza kundër zotit Biden dhe se do të ishte e vështirë që ai të dënohej. Zoti Hur e cilëson presidentin si një “burrë t moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

Shtypi amerikan ka botuar pjesë nga fjala e parapërgatitur që prokurori amerikan pritet të lexojë në hapje të dëshmisë së tij në komisionin e Kongresit të drejtuar nga republikanët.

Vlerësimi që i bëj në raport kujtesës së presidentit ishte i domosdoshëm, i saktë dhe i drejtë“, shkruan në fjalën hyrëse zoti Hur, sipas mediave në SHBA. “Jam shprehur siç i kam parë gjërat. Nuk e kam denigruar presidentin në mënyrë të padrejtë. I shpjegova Prokurorit të Përgjithshëm vendimin dhe arsyet se si arrita në të. Kjo ishte ajo që kërkohej nga unë“.

Administrata e Presidentit Biden e cilësoi raportin si të motivuar politikisht para zgjedhjeve të nëntorit. 81 vjeçari Biden po kërkon një mandat të dytë. Donald Trump, 77 vjeç, është kandidati kryesor për të marrë emërimin e republikanëve për zgjedhjet presidenciale.

Pas publikimit të raportit, republikanët kanë thënë se kjo është dëshmi e një sistemi të pabarabartë drejtësie. Në qershor ndaj ish-Presidenti Trump u ngrit padi për dokumentet sekrete që iu gjetën në shtëpi.

Sipas prokurorëve zoti Trump u përpoq t’i fshihte dokumentet sekrete në në shtëpinë e tij në Florida dhe diskutoi me avokatët e tij rreth mundësisë se si t’i gënjenin aurotitetet qeveritare që të mos i gjenin dokumentet. Zoti Trump i cilëson akuzat si të motivuara politikisht.

Kategoritë
BotaLajme