Prodhuesi gjerman i armëve tani më i vlefshëm se Volkswagen

Prodhuesi më i madh evropian i armëve, Rheinmetall, ka tejkaluar me kapitalizimin e tij të tregut prodhuesin kryesor evropian të automobilave, Volkswagen (VW), si rezultat i rritjes së kërkesës për aksionet e kompanive në sektorin e mbrojtjes, e nxitur nga njoftimet për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në Evropë.

Kapitalizimi i tregut i Rheinmetall arriti të enjten rreth mesditës në 56.6 miliardë euro, ndërsa ai i VW ishte rreth 55.4 miliardë euro, duke reflektuar hendekun në pozicionin e sektorit të prodhimit të armëve krahasuar me industrinë e automobilave, sipas një analize të Reuters.

Çmimet e aksioneve të prodhuesve të pajisjeve ushtarake në Evropë kanë shënuar rritje të fortë kohët e fundit për shkak të planeve të qeverive evropiane për të rritur shpenzimet për mbrojtjen.

Aksionet e Rheinmetall janë ndër fituesit më të mëdhenj, me një dyfishim të vlerës vetëm nga fillimi i vitit. Sot, vlera e tyre është më shumë se 12 herë më e lartë krahasuar me periudhën para hyrjes së trupave ruse në Ukrainë, në fund të shkurtit 2022.

Kompania gjermane njoftoi të mërkurën se pret një rritje të të ardhurave prej 25 deri në 30 për qind këtë vit. Në vitin 2024, të ardhurat u rritën me 36 për qind, duke arritur në 9.75 miliardë euro, e nxitur nga një rritje prej 50 për qind në sektorin e pajisjeve ushtarake.

Menaxhmenti ka paralajmëruar se do të përditësojë parashikimet financiare, në varësi të zhvillimeve në Ukrainë.

“Planet e vendeve evropiane për rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për mbrojtjen na ofrojnë një mundësi pa precedent,” theksuan në Rheinmetall.

“Në Evropë ka filluar një epokë e re e riarmatimit, e cila do të kërkojë shumë nga të gjithë ne,” tha drejtori ekzekutiv i Rheinmetall, Armin Papperger, në raportin e rezultateve vjetore.

Kategoritë
BotaLajme