Prizreni hap dyert për Festivalin e Parë Ndërkombëtar të Teatrit në Gjuhën Turke

Prizreni, kryeqendra kulturore e Kosovës, mbrëmë u bë nikoqire e Festivalit të Parë Ndërkombëtar të Teatrit në Gjuhën Turke. Hapja u shënua me një kortezh solemn dhe performancën e fëmijëve aktorë në Shatërvan, duke sjellë atmosferë festive në zemër të qytetit.

Në kuadër të festivalit, në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” u hap ekspozita fotografike “Prizren Türk Tiyatrosu Fotoğrafları” nga gazetari dhe shkrimtari Aziz Serbest, ndërsa nata u përmbyll me shfaqjen “Nevbahar” të Teatrit Kombëtar Turk të Shkupit.

Me këtë rast, u ndanë edhe mirënjohje për artistët që kanë kontribuar me vite të tëra në zhvillimin e teatrit turk në Kosovë.

Drejtoresha e “ART Theatre” dhe njëherësh koordinatore e festivalit, Sonay Buş, shprehu emocionet për organizimin e edicionit të parë:
“Për pesë ditë me radhë, zemra e artit dhe teatrit do të rrahë në Prizren. Ftojmë gjithë qytetarët të bëhen pjesë e këtij festivali kulturor.”

Koordinatori i Institutit Yunus Emre në Kosovë, Ramazan Yılmaz, theksoi se festivali nuk është vetëm shfaqje teatrale, por edhe një urë miqësie dhe kulture mes popujve:
“Fakti që këtë vit po përjetojmë edicionin e parë, është krenari për të gjithë. Besoj se do të kthehet në traditë dhe do të rritet vit pas viti. Në logon e festivalit është vendosur motoja ‘Arti Bashkon’, e cila lidhet ngushtë me moton tonë ‘Turqishtja Bashkon’, sepse arti dhe gjuha janë ura të fuqishme që lidhin shoqëritë.”

Në fjalën e tij, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, nënvizoi rëndësinë e diplomacisë kulturore:
“Arti afron popujt dhe vendet tona. Ky festival është një hap i çmuar drejt forcimit të lidhjeve kulturore. Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj ngjarjeje.”

Festivali do të zgjasë nga 10 deri më 14 shtator dhe do të ofrojë 20 aktivitete për publikun, përfshirë katër shfaqje teatrale, dy shfaqje për fëmijë, tre shfaqje kukullash, katër punëtori, dy ligjërata, një ekspozitë, një shfaqje filmike si dhe performanca të veçanta artistike.

Kategoritë
LajmeTë ndryshme