Mbrëmja e së mërkurës do ta gjejë Prizrenin të mbushur me muzikë, dritë dhe energji rinore. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, organizata joqeveritare Rhythm sjell për qytetarët koncertin festiv “Youth on the Stage”, që do të mbahet në Kej, te Shatërvani, duke nisur nga ora 21:00.
Ky aktivitet është menduar si një hapësirë ku të rinjtë e qytetit dhe të ftuarit nga rrethina mund të bashkohen për të festuar, për të ndarë energjinë e tyre dhe për të shijuar performanca të paharrueshme. Në skenë do të jetë grupi muzikor “Kape Ritmin”, i përbërë nga të rinj të talentuar, të cilët tashmë kanë fituar zemrat e publikut me interpretimet e tyre plot gjallëri. Muzika e tyre është një përzierje ritmesh moderne dhe tingujsh që i flasin drejtpërdrejt brezit të ri, duke krijuar një atmosferë unike.
Tolga Kazazi, drejtori ekzekutiv i OJQ-së Rhythm, vlerëson se koncerti nuk është vetëm një event argëtues, por edhe një platformë për fuqizimin e të rinjve
“’Youth on the Stage’ është më shumë se një koncert, është një mesazh i qartë se rinia ka zërin, talentin dhe fuqinë për të sjellë ndryshim. Ne duam t’u japim të rinjve hapësirën që meritojnë, ku mund të shprehin veten dhe të frymëzojnë të tjerët.”, tha ai
Ky aktivitet është pjesë e misionit të Rhythm për të promovuar kulturën, artin dhe krijimtarinë në mesin e të rinjve, duke e kthyer Prizrenin në një qendër të gjallë të energjisë rinore. Koncerti është i hapur për të gjithë qytetarët dhe synon të sjellë së bashku breza të ndryshëm në një natë të mbushur me muzikë, buzëqeshje dhe emocione pozitive.
Organizatorët premtojnë një mbrëmje të paharrueshme, ku muzika do të bashkojë njerëzit dhe do të japë tonin e festimeve për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë.