Prishtinë, BIK-u takohet me imamët dhe përfaqësuesit e tyre në diasporë

Prishtinë, BIK-u takohet me imamët dhe përfaqësuesit e tyre në diasporë

Kryetari i unitetit musliman shqiptar në Zvicër, Mehas Alija, tha se janë të lumtur që në vendlindje diaspora po vlerësohet.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka organizuar në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë takim me imamët që veprojnë në diasporë, raporton Anadolu.

Para imamëve, kryetarëve të xhamive dhe xhematit nga diaspora, Ekrem Simnica, drejtor i Diasporës në Bashkësinë Islame, tha se BIK asnjëherë nuk harron se imamët që punojnë në diasporë janë përfaqësues të denjë.

Simnica tha se nga medreseja kanë dalë gjenerata të shumta që edhe sot mbajnë xhematin me dije Islame.

“Interesimi juaj për ne, mërgatë e nderuar, është dëshmuar në të kaluarën dhe po dëshmohet vazhdimisht me kontributet tuaja të ndryshme për atdheun në përgjithësi dhe për Bashkësinë Islame dhe institucionet e saja në veçanti, këtë e di Zoti më së miri, por e dimë edhe ne, por edhe populli ynë”, theksoi Simnica.

Kryetari i unitetit musliman shqiptar në Zvicër, Mehas Alija, tha se janë të lumtur që në vendlindje diaspora po vlerësohet.

Ai falënderoi kryesinë e BIK-ut për bashkëpunimin e deritanishëm dhe kontributin e anasjelltë.

“Ne patëm një takim vitin e kaluar dhe në këtë medrese dhamë premtimin tonë që të japim një mbështetje për medresenë dhe elhamdulilah nga Zvicra erdhi një mbështetje bukur e mirë financiare me mbi 100 mijë franga dhe besoj se sot do të kemi mundësi të shohim gjithçka se çfarë është bërë dhe çfarë është ndërtuar apo restauruar këtu. Lutemi që të përfundojë sa më shpejtë gjithë projekti me sukses”, theksoi Alija.

Tutje, Alija tha se përpos BIK-ut dhe institucioneve të tij, diaspora ka ndihmuar edhe në raste tjera, sikurse pas vërshimeve në qytetin e Mitrovicës me 140 mijë franga.

Ai tha se ashtu sikurse vendlindja ka nevojë për diasporën ashtu edhe diaspora ka nevojë për vendlindjen.

Pas fjalëve të rastit në Medresenë “Alauddin”, u shpërndanë dhurata dhe u shtrua drekë për mysafirët.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova